Zëvendës kryetari i Organizatës së Vëzhgimit për Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore, KRIIK, Dritan Taulla, zgjedhjet e pjesshme të Rrogozhinës ditën e sotme, i paralelizon me ato të 14 Majit, ndonëse thotë se pjesëmarrja është më e kënaqshme. Në një lidhje për studion e lajmeve të MCN Tv, ai deklaroi se janë katër skuadra që do të ndjekin të gjithë procesin e votimit dhe numërimit. “Të gjitha problematikat e dala, i kemi parë edhe në 14 Maj dhe në zgjedhjet e mëparshme. Problematikë madhore është prania e personave të paautorizuar rreth e rrotull qendrave të votimit. Kjo është përgjegjësi e partive që ti tërheqin se janë aktivistë të tyre, duhet që qytetarët të votojnë të lirë. U bëjmë thirrje partive që të tërheqin aktivistët që ndodhen pranë Qendrave të Votimit. Synohet që vullneti i zgjedhësve të kontrollohet deri në qelizë dhe prania e këtyre personave rreth e rrotull Qendrave të Votimit këtë tregon. Së pari zgjedhësit mund të intimidohen, por dhe nëse nuk intimidohen, është problematikë madhore prania e tyre. Pjesëmarrja e deritanishme është shumë pozitive, pasi në 14 Maj ishte pjesëmarrja më e ulët në zgjedhje në Shqipëri. Shumë problematika që u konstatuan në zgjedhjet e 14 Majit u vunë re dhe në këto zgjedhje.” Ditën e sotme qytetarët e Rrogozhinës të rivotojnë për zgjedhjen e kryebashkiakut pasi Kolegji Zgjedhor shpalli të pavlefshme zgjedhjet e 14 Majit. Zgjedhjet e sotme do të kenë vetëm një fletë votimi, atë për kryebashkiakun mes socialistit Edison Memolla dhe kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Shkëlqim Hoxha.



