
Deputeti Edi Paloka doli sot para mediave për të denoncuar heshtjen e kryeministrit Rama në lidhje me atë që Partia Demokratike e cilëson si skandali i denoncimit të oficerit Emiljano Nuhu.
Paloka tha se heshtja e kryeministrit Rama në lidhje me këtë rast është pjesë e skenarit mafioz për të mbyllur skandalet që ekspozojnë lidhjet e tij dhe bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë me krimin.
“Edi Rama nga dje, po zbaton të njëjtin skenar mafioz për të mbyllur skandalet që ekspozojnë lidhjet e tij dhe bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë me krimin. Sa herë ata kapen në flagrancë në bashkëpunim me krimin, Edi Rama vërsul taulantët e tij të lidhur me krimin e organizuar për të sulmuar denoncuesin e krimit, për të prishur provat, për të intimiduar dëshmitarët, për të kërcënuar gazetarët, siç ka ndodhur me kërcënimin mafioz të gazetarëve të televizionit Shijak TV”, tha Paloka.



