Studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Altin Gjeta në një intervistë për MCN komentoi deklaratën e Ambasadës së SHBA drejtuar qeverisë së Kosovës, duke e cilësuar atë si një sinjal të qartë kundrejt kryeministrit Albin Kurti. Sipas tij, mesazhet e hapura të SHBA për barazi të qytetarëve tregojnë pakënaqësinë me mënyrën se si po menaxhohet situata në veri të Kosovës.
Gjeta theksoi se SHBA nuk kundërshton sovranitetin e Kosovës, por qasjen e qeverisë që sipas tyre gjeneron tensione të panevojshme, në një kohë kur vëmendja globale është e përqendruar tek Ukraina. Ai paralajmëroi se nëse kriza zgjat dhe Kosova nuk e konsolidon shtetësinë e saj, rrezikon të mbetet “gur shahu” dhe pjesë e pazareve të fuqive të mëdha.
Intervista e plotë:
-Sot ambasada amerikane ishte më e hapur, duke lënë të kuptohet se problem sheh Albin Kurtin. Çfarë do të thotë kjo për kryeministrin aktual?
-Është një goditje e hapur ndaj pozitës së tij në Kosovë sepse SHBA është aleati kryesor i saj. Edhe gjatë administratës Biden ne kemi parë që ambasadori i SHBA ka patur kritika të hapura ndaj qeverisë së Kosovës. SHBA dhe diplomacia e tyre nuk e kundërshtor idenë e sovranitetit, por për mënyrën sesi është qasur pasi sipas tyre krijon tensione. SHBA është fuqi globale dhe padiskutim në një moment ato nuk do donin të harxhonin energji për një krizë në Ballkan kur ka krizë në Ukrainë.
-Si mund të prapakthehet vendimi i marrë?
-Çështja e narrativës që do të krijojë Beogradi sikur serbët po keqtrajtohen në Kosovë, s’është e vërtetë. Pasi qytetarët serbë që ndodhen në veri të Kosovës nuk i përgjigjen shtetit të Kosovës. Njerëz që kryen veprimtari kriminale dhe janë përfshirë në aktivitete të jashtëligjshme kundër Kosovës, ata sërish u integruan në shtetin e Kosovës.
-Çfarë ndodh nëse Gjykata Kushtetuese pezullon aktet e kuvendit të Kosovës?
-Sa më gjatë të qëndrojë Kosova në këtë gjendje, nëse nuk e mbyll shtetësinë gjithmonë do të përballet me rrisqe sepse faktorët ndërkombëtarë mund të rimblidhen dhe me një riorganizim të fuqive të mëdha mund të bëhet gurë shahu për superfuqitë. Nëse Kosova mbetet një zonë e ndërmjetme atëherë rrezikon të bëhet pjesë e pazareve.



