Tre persona kanë përfunduar në prangat e policisë në Tiranë, një po procedohet penalisht dhe një është shpallur në kërkim pasi falsifikonin certifikata të mbrojtjes së gjuhëve të huaja.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Finish”, ku si rezultat u ndaluan shtetasit: Martin Pacani, 62 vjeç, Olgert Jaupaj, 43 vjeç dhe Ervin Yzeiraj, 42 vjeç.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen B. N., 24 vjeçe, si dhe u shpall në kërkim shtetasja E. A., 34 vjeçe.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, falsifikonin certifikata të mbrojtjes së gjuhëve të huaja dhe kundrejt pagesës që varionte nga 20 000 deri në 30 000 lekë të rinj, pajisnin shtetas të ndryshëm, me qëllim përdorimin e tyre në institucionet arsimore.
Gjatë kontrollit në ambientin e përshtatur për këtë veprimtari të kundërligjshme, që e kishte në përdorim shtetasi Martin Pacani, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 35 certifikata të falsifikuara, 1200 euro, një shumë lekësh, 4 celularë dhe një njësi kompjuterike ku përgatiteshin certifikatat false.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Fshehja e të ardhurave”.



