Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo deklaroi në studion e lajmeve në MCN Tv se Rusia i ka kaluar kufijtë legal të sjelljes së saj si fuqi e madhe ndërkombëtare për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Duke vijuar më tej me shpjegimin e tij, Milo tha se Rusia është kthyer në një fuqi imperialiste që shkon në kundërshtim me idealet e Luftës së Dytë Botërore.
Sipas historianit Rusisë së sotshme nuk i takon të përkujtojë atë luftë që ishte e të gjithë popujve dhe që e drejtë.
Nuk është rasti i vetëm që fuqitë perëndimore për çështjen e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore ndahen me Moskën. Dhe gjatë Luftës së Ftohtë ka ndodhur që Perëndimi e festonte më 8 maj, ndërkohë që Bashkimi Sovjetik i asaj kohe e festonte më 9 maj, me parada pompoze për të dëshmuar fuqinë e vetë ndërkohë që gjendja ekonomike vazhdonte të binte. Nuk është fenomen i ri. Ajo që ka ndodhur në Moskë sot është 9 maji, pamë dhe paradën dhe pjesë të fjalimit të Putini. Skenari është i njëjtë, me të vetmin ndryshim që Rusia ka tejkaluar kufijtë legal të sjelljes së saj si fuqi e përgjegjshme e madhe ndërkombëtare për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Nëse në 1945 u vendosen themelet e një rendi të ri ndërkombëtar të mbështetura tek disa marrëveshje që bënë fuqitë e kohës dhe marrëveshja e Jaltës dhe Potsdamit për fatin e Gjermanisë, tani nuk ka më marrëveshje që respektohet. Që nga momenti që Rusia e sotshme sulmon një shtet sovran si Ukraina, është kthyer në një fuqi imperialiste që shkon në kundërshtim me idealet e asaj lufte që u bë dhe është ironi e historisë që një njeri si Putin dhe regjimi i tij keqinterpretojnë Luftën e Dytë Botërore. Ajo triumfoi kundër fashizmit, nazizmit, Hitlerit. Rusët kanë luftuar shumë, por në një kohë kur ajo është një vend agresor, nuk mund të spekulohet siç ka bërë sot Putini në Moskë për të justifikuar agresionin dhe për të kërcënuar paqen ndërkombëtare. Nuk i takon Rusisë së sotshme të përkujtojë atë luftë të gjithë popujve dhe që ishte një luftë e drejtë.
Më tej Milo tha se rendi i sotëm ndërkombëtar është shumë i lëkundshëm dhe se nevojiten një traktat tjetër ndërkombëtar që duhet të japë garanci për vijimësinë e stabilitetit ndërkombëtar.
Rendi i sotëm ndërkombëtar është tepër i lëkundshëm, nuk është stabël, pasi janë prishur ekuilibrat që u vendosën pas Luftës së Dytë Botërore. Nëse 1945 me marrëveshjen e Jaltës u vendos ai rend që krijoi një sistem dypolar, pas 1990 u krijua me rënien e komunizmit një sistem unipolar ku predominoi SHBA-të. Sot ka një ndryshim, në skenën botërore po dalin fuqi të tjera që duan të sfidojnë këtë realitet që ekziston dhe vë në rrezik qëndrueshmërinë e sistemit ndërkombëtar se kërkojnë dhe ata të hyjnë në klubin e vendeve të privilegjuara.
Nevoja për një riparje të sistemit ndërkombëtar ka ardhur me kohë, nevoja për ekuilibra të rinj. Nevojitet një traktat tjetër ndërkombëtar që duhet të japë garanci për vijimësinë e stabilitetit ndërkombëtar. Lufta në Ukrainë është paralajmërim që bota mund të rrëshqasë në një konflikt të gjerë dhe nëse inkurajohen agresorë si Rusia.



