Gazetari Besmir Pula foli në “Mcn Informacion” mbi takimet speciale në burgje, ku dyshohet se vajza të showbiz-it kanë takuar eksponentë të botës së krimit, si Laert Haxhiun, apo Safet Bajrin. Pula mendon se vajzat mund të shfrytëzohen edhe për të dhënë informacione jashtë. Ai vë në dukje se problematikë është edhe futja e sendeve të palejuara si celularët, për shuma që fillojnë nga 1 mijë euro deri në 5 mijë euro.
"Lejohen vetëm takime speciale që bëhen nga familjarë, bashkëshortja dhe jo në planin e një vajze që kundrejt pagesave monetare mund të kryejë një shërbim, sepse që në ato momente ka konsumuar veprën e prostitucionit. Kjo është e ndaluar. Ka protokoll dhe mbahen shënim emrat e personave. Unë mendoj që përtej faktin që vajza të showbiz-it futen në burgjet shqiptare, ndoshta mund të shfrytëzohen edhe për të dhënë informacione jashtë. Këto u takojnë hetimeve që të zbulojnë nëse kanë pasur edhe këto qëllime. Deri tani s’ka reagim nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për këto dy episode, nëse ka pasur shkelje të ligjit dhe nëse janë hetuar punonjësit e burgjeve, që mund të kenë shkelur protokollin. Është Laert Haxhiu në burgun e Drenovës dhe Safet Bajri në burgun e Reçit. Ngjarjet janë të lidhura për sa kohë patëm shkarkimin e drejtorit të burgut të Drenovës. Nuk janë problematikë vetëm futja e vajzave për takime speciale, por problematikë është edhe futja e celularëve, deri te futja e armëve siç ishte rasti në burgun e Peqinit. Ka pagesa 1-3 mijë euro, deri në 5 mijë euro për futjen e një celulari në burgje”.



