
Pesë faqe të tjera me materiale të klasifikuara janë gjetur në shtëpinë e familjes së Presidentit amerikan Joe Biden në Delaware, ka thënë Shtëpia e Bardhë.
Një dokument me shenja të klasifikuara ishte gjetur tashmë në garazhin e shtëpisë së familjes së Biden në Delaware këtë javë, ku ai mban makinën e tij sportive Chevrolet Corvette të viteve 1960.
Avokati i Biden, Richard Sauber tha se ai zbuloi dokumentet shtesë të enjten, të cilat iu dorëzuan menjëherë Departamentit të Drejtësisë.
Avokatët e Biden kanë deklaruar se dokumentet kanë të bëjnë me kohën e tij si zëvendëspresident i Barack Obamës.
Zbulimi i dokumenteve gjatë gjithë hetimit duket se po vë në vështirësi Joe Bidenin, pasi vjen në një kohë kur po hetohet gjithashtu për keqpërdorimin e supozuar të dosjeve të klasifikuara edhe ish-Presidenti Donald Trump.



