Qindra mijëra njerëz janë ngritur sërish në protestë në Francë këtë të enjte pasi presidenti Emmanuel Macron deklaroi se do të vazhdojë me reformën e pensioneve, pavarësisht nga përshkallëzimi i zemërimit të francezëve në të gjithë vendin.
Protestat kundër ligjit të ri, i cili rrit moshën e daljes në pension me dy vjet, nga 62 vjeç në 64, kanë tërhequr turma të mëdha në mitingje të organizuara nga sindikatat që nga janari.
Sindikatat e punëtorëve thanë se dita e nëntë e veprimit mbarëkombëtar e kësaj të enjteje do të tërheqë turma të mëdha kundër “përbuzjeve dhe gënjeshtrave” të Macron.
Është planifikuar që në protestën e sotme trafiku i trenave të ndërpritet. Mësuesit do të largohen nga puna, ndërsa grevat e grumbulluesit e plehrave vijojnë.
Shumica e protestave kanë qenë paqësore, por zemërimi është rritur që kur qeveria e shtyu projektligjin në parlament pa votim javën e kaluar.
Shtatë netët e fundit janë parë demonstrata spontane në Paris dhe qytete të tjera me kazanët e mbeturinave të djegura dhe përleshje me policinë.
Ditën e djeshme Macron tha se ligji i ri ishte i nevojshëm dhe do të hynte në fuqi më vonë këtë vit.



