
Teksa disa furra kanë rritur çmimin e bukës me 100 lekë të vjetra, Autoriteti i Konkurrencës ka paralajmëruar tregtarët e miellit.
Në një njoftim zyrtar ai thotë se nga hetimi i thelluar bërë në tregun e importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit ka konstatuar, se në bllok dhe në bashkërendim me njëra-tjetrën, 5 ndërmarrje të miellit në Shqipëri caktojnë çmimet e blerjes dhe shitjes së miellit.
Autoriteti i Konkurrencës i bën thirrje kompanive “Të mos kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet dhe të mos ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit.
Autoriteti i Konkurrencës thotë se këto ndërmarrje do të jenë në monitorim për 1 vit, dhe gjatë kësaj periudhe duhet të raportojnë çdo 3 muaj pranë këtij institucioni, të dhëna mbi blerjet dhe shitjet.
Njoftimi i plotë/ Autoriteti i Konkurrencës
1. Komisioni i Konkurrencës, me anë të vendimit nr. 700, datë 24.07.2020 “Për mbylljen e hetimit të thelluar në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit ndaj ndërmarrjeve Agro Blend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA, Atlas SHA dhe Atlas Mills SHPK, me kushte dhe detyrime dhe dhënien e disa rekomandimeve për MFE, MBZHR dhe AKU” ka vendosur:
I. Konstatimin e sjelljes së bashkërenduar midis ndërmarrjeve Agro Blend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA, Atlas SHA dhe Atlas Mills SHPK, në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit, pasi këto ndërmarrje bashkërendojnë sjelljen duke caktuar çmimet e shitjes dhe duke kontrolluar prodhimin në tregun e miellit për shkak të integrimit vertikal, sjellje e cila bie në kushtet e zbatimit të nenit 3 pika 4, dhe nenin 4 pika 1 gërma a dhe b të ligjit 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
II. Detyrimin e ndërmarrjeve Agro Blend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA, Atlas SHA dhe Atlas Mills SHPK si vijon:
1. Të mos caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi;
2. Të mos kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet;
3. Të mos ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit;
4. Gjatë periudhës së monitorimit të raportojnë çdo 3 (tre) muaj pranë AK-së të dhëna mbi blerjet dhe shitjet në përmbushje të detyrimeve të dhëna sipas kësaj pike.
III. Moszbatimi i përmbushjes së pikës III të këtij vendimi, në zbatim të nenit 73 dhe 74 të ligjit nr. 9121/2003, ndëshkohet me penalitetet përkatëse.
IV. Monitorimin e sjelljes së ndërmarrjeve Agro Blend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA dhe Atlas Mills SHPK për një periudhë 1 (një) vjeçare.
2. Komisioni i Konkurrencës do të shprehet me një vendim mbi zbatimin e kushteve dhe detyrimeve të dhëna me anë të vendimit nr. 700, datë 24.07.2020 të cilat shtrihen në kohë edhe pas përfundimit të periudhës 1 (një) vjeçare të monitorimit.



