Pas qeveria e kryeministrit Dritan Abazoviç në Mal të Zi nuk arriti të merrte besimin e Parlamentit, disa subjekte politike po kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, ndërsa të tjera shqyrtojnë formimin e një qeverie të re. Në një lidhje Skype me MCN TV, analisiti Nail Draga tha se opsioni më i mundshëm mbetet shpallja e zgjedhjeve të parakohshme, të cilat mund të mbahen brenda 2-3 muajve të ardhshëm.
Opinioni në Mal të zi e më gjerë e kanë kuptuar se kemi vetëm një qeveri teknike. Po flitet edhe për një qeveri tjetër kalimtare, por këto janë kalkulime politike. Këto ditë po kalkulohet se cila do të jetë forma më e përshtatshme për të përballuar situatën aktuale.
Presidenti Gjukanoviç e ka detyrim kushtetues të konsultojë partitë parlamentare për të gjetur kandidatin për kryeministër. Zgjedhjet mbahen vetëm pas shpërndarjes së Parlamentit. Por ditët në vijim do të përcaktojnë nëse ka disponim për të shkuar menjëherë në zgjedhje.
Dalja nga kriza është vetëm përmes zgjedhjeve të parakohshme. Duke qenë se në tri vite kanë rënë dy qeveri, ato mbeten opsioni më i mundshëm. Abazoviçi do të jetë me mandat të përkohshëm si qeveri kalimtare për 2-3 muaj. Nuk duhet anashkaluar edhe qëndrimi i ndërkombëtarëve, që shohin si zgjidhje mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.



