
Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustrisë tha në studion e MCN Economy se rënia e eksporteve është tregues i dobësive që ka pasur dhe ka ekonomia e vendit tonë.
Duke vijuar më tej, Buxhuku theksoi se rënia në vlerë e eksporteve tregon faktin që do kemi problematika në të ardhmen, dhe një ndër to është falimentimi pasi po humb konkurrueshmëria e mallrave të papërpunuara.
Është shifër që të brengos se është vlerë jashtëzakonisht e madhe dhe tregon problematika të brendshme në afatgjatë për ekonominë në të ardhmen. Këto të dhëna nuk janë të rastësishme, kanë qenë të pritshme. Gjatë pandemisë pati një boom në disa sektorë, një fryrje momentale, por u pa që kjo fryrje që ndodhi nuk tregonte realitetin. Ekonomia shqiptare tregonte dobësi thelbësore, rënia e eksporteve është tregues i dobësive që i kemi pasur dhe i kemi, mënyra si është organizuar ekonomia.
Goditja e parë u dha tek fakti që ranë çmimet. Nga ana tjetër ti nuk përballeshe dot me konkurrencën, se në momentin që ranë çmimet, mallrat u gjendën përballë konkurrencës. Forcimi i monedhës vendase godet eksportet pasi në mënyrë të drejtpërdrejtë rriten kostot, je i detyruar të shesësh me çmime të larta dhe humbet nga konkurrueshmëria jote.
Shifra 30 % e rënies së eksporteve është sinjal që flet për dobësinë nga njëra anë dhe domosdoshmërinë për të marrë masa. Ekonomia shqiptare paraqitet si ekonomi që është eksportuese ose e lëndëve të para të papërpunuara.
Mineralet, nafta ose produkte të përpunuara pak, me vlerë të shtuar të ulët dhe si e tillë është ekonomi primitive. Nuk jemi në gjendje të eksportojmë marka. Kjo është brengosëse. Ekonomia shqiptare është ekonomi primitive, konsumatore, që nuk prodhon shërbime dhe mallra që kanë markën e vet.
Rënia e eksporteve në vlerë tregon faktin që do të kemi problematika dhe në të ardhmen. Një nga problematikat është falimentimi, po humbet konkurrueshmërinë dhe në këto mallra që janë të papërpunuara.



