Kandidati për Lezhë në primaret e PD, Ded Doda, gjatë një interviste në "Te Pakespozuarit" në MCN, theksoi se pranimi i humbjes është një akt burrërie.
Ai shpjegoi se, pavarësisht se mori vetëm 13 vota, nuk ka humbur asnjë demokrat në këtë garë.
Doda theksoi gatishmërinë e tij për të kontribuar përsëri për PD-në dhe tha se do ta pranojë çdo vendim të partisë, por se gjëja më e rëndësishme për të është drejtësia dhe uniteti brenda PD-së.
"Trembëdhjetë vota mora, por për mua rezultati është i rëndësishëm, sepse edhe pranimi i humbjes është një akt burrërie. Gara ka gjithmonë humbës dhe fitues.
Kur futesh në një garë, futesh në një ring dhe gara ka humbje dhe fitore, ashtu siç ndan të mirën nga e keqja.
Unë pata fatin të takoj dhe të flas me të gjithë demokratët nga zona e rrethit të Lezhës, nga Dajshi deri në Kashtjaj, dhe nuk kam humbur asgjë. Asnjë demokrat nuk ka humbur në këtë garë.
Problemi që po ndiej është se kam marrë shumë pak vota nga zona ime, por kjo nuk do të thotë që do të nxjerr përgjegjësinë te ata.
Unë jam mësuar të përballem me sfida dhe jam i gatshëm të kontribuoj përsëri për Partinë Demokratike, për mirënjohjen që kam për të.
Nëse më fusin në listë, do ta kuptoj, por nuk është kjo gjëja më e rëndësishme. E kam ndjerë drejtësinë, dhe do të vazhdoj të kontribuoj."



