Analisti Ben Andoni duke komentuar vizitën e Antony Blinkenit në Shqipëri tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se ajo është një garanci për sigurinë e vendit tonë. Andoni e konsideroi bazën e Kuçovës është avant-post i bazave të SHBA-ve në Europë, dhe sipas tij vizita vjen si nevojë për konfirmimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Analisti tha se Blinken vendosi të mos takojë opozitën duke parë qëndrimin dhe ravijëzimin e saj. Ai vuri në dukje se nga një anë kemi Berishën non grata, dhe nga ana tjetër kemi Bashën, që me gjithë iniciativat e mira që po merr, s’e ka peshën për të përfaqësuar opozitën shqiptare.
Besoj që për Shqipërinë ardhja e një funksionari të tillë është e mirë, së pari për një garanci politike në politikën e jashtme shqiptare, por mbi të gjitha një garanci për sigurinë e Shqipërisë. Shqipëria me bazën e Kuçovës është avant-post i bazave të SHBA-ve në Europë, dhe të gjitha këto kanë nevojë për një marrëdhënie që të konfirmohet herë pas here. Unë besoj se kjo është arsyeja e ardhjes së z.Blinken, përpos pastaj dy çështjeve të tjera, njëra ndër të cilat është reforma në drejtësi, ku shteti amerikan përmes strukturës së SPAK-ut, BKH-së dhe GJKKO-së, duket që është një investim mirëfilli amerikan, që ata kanë dashur nëpërmjet Shqipërisë ta projektojnë edhe në vende të tjera, paçka skepticizimit të shumë vende. Një mesazh që besoj jepet ndër rreshta do të jetë edhe lidhur me rajonin, dhe sidomos me Kosovën. Kosova është përballë realiteteve që unë besoj se z.Blinken në Tiranë do të na i tregojë shumë më ndryshe, por kjo do jetë e rezervuar për autoritetet kryesore të vendit, ndërsa kryesorja është garancia që jepet për Shqipërinë, jo vetëm si vendi më i sigurt në rajon për SHBA-të, por është avant-post i bazave amerikane në rajon e më gjerë”.
I pyetur mbi qëndrimin e mbajtur sot nga Berisha i cili tha se “në Shqipëri është instaluar shteti monist”, Andoni u shpreh:
Kjo nuk bën sens në këtë moment. Ju e dini që Berisha e ka hedhur në gjyq z.Blinken, ndërsa Kurti e quajti naiv z.Blinken, duke ditur peshën e tij, tagrin e tij, dhe mbi të gjitha atë që ai përfaqëson ai, ju e kuptoni vetë se çfarë rëndësie mund të ketë një postim i z.Berisha, që është non grata dhe është ajo vija e madhe ndarëse që ka penguar edhe opozitën në këtë moment. Patjetër në axhendën e Sekretarit të Shtetit duhet të jetë llogaritur një takim me opozitën, por kur është parë qëndrimi i tyre, kur është parë që nuk ka një ravijëzim të saktë të opozitës dhe qëndrimit të tyre ndaj SHBA-ve, sepse s’mjafton vetëm të thuash që jemi pro amerikan, por duhet ta tregosh me qëndrime. Ju e keni parë që pjesa e Rithemelimit s’e vendos fare në peshë mbështetjen amerikane me qëndrimin ndaj z.Berisha tregon një paradoks shumë të madh”.
Lidhur me mos takimin e Sekretarit të Shtetit me grupimin Basha, Andoni tha:
Sa i përket pjesës së z.Basha, është një pjesë që me gjithë dëshirën e mirë të z.Basha dhe me gjithë iniciativat e mira që po ndërmerr, me peshën që ka nuk e përfaqëson dot një takim të opozitës shqiptare me Blinkenin. Unë e quaj një lloj relaksi takimin e z.Blinken në Tiranë, pasi pak orë më vonë do jetë në një takim të rëndësisë të veçantë, që është Konferenca e Sigurisë në Mynih. Në këto muaj administratës së z.Biden i duhet të mbledh sa më shumë indikacione pozitive për t’i paraqitur në fushatë. Për mua është një vizitë mbështetje, dhe është pozitive edhe për z.Blinken vet. Opozitës i duhet fillimisht të gjejë një identitet, dhe do e ketë shumë të vështirë të ravijëzojë identitetin e vet përballë aleatëve tanë. Nuk mjaftojnë fotografitë nga SHBA-të, pasi ja ku është z.Blinken në Tiranë dhe ata s’po arrijnë ta takojnë. Qoftë protesta, që është një e drejtë legjitime dhe shpresoj që të jetë e duhura, mos jetë patetike, janë shumë pak nga ajo që presin shqiptarët. Të paktën z.Rama zyrtarisht e ka shprehur mbështetjen ndaj SPAK-ut, dhe kjo është ajo pjesa e kalit të betejës që pozita po përdor ndaj opozitës. Goditjet më të mëdha mazhorancës ia ka dhënë SPAK-u, jo opozita. SPAK po tregon një predispozitë që do të shkojë më tepër. A ka probleme? Ka. Do i duhen edhe shumë kohë që SPAK të tregojë lartësinë e asaj që është ngritur dhe atë që presin shqiptarët prej tij”.



