
Evropa nuk duhet të hezitojë të ushtrojë presion mbi SHBA nëse nuk përputhet me "demokracitë liberale", tha të premten ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock.
Kryediplomatja gjermane në detyrë e bëri këtë koment pas bisedimeve midis SHBA-së dhe Rusisë që përjashtuan përfaqësuesit nga BE dhe Ukraina.
Duke folur në një tubim të fushatës në Potsdam të premten, politikanja e "Të Gjelbërve" deklaroi: "Ne po rrisim presionin ndaj amerikanëve, kështu që ata e dinë se kanë shumë për të humbur nëse nuk qëndrojnë në anën e demokracive liberale të Evropës."
Në lidhje me marrëdhëniet BE-SHBA, Baerbock tha që ende s'duhet dalë në përfundime të parakohshme, duke theksuar se "asgjë nuk është vendosur".
“Askush nuk mund të vendosë për luftën dhe paqen për ukrainasit apo ne evropianët, dhe ky është qëndrimi i qartë gjerman”, këmbënguli ajo.
Një përçarje është hapur midis Uashingtonit dhe Brukselit që kur presidenti amerikan Donald Trump mori detyrën muajin e kaluar. Trump ka marrë një qëndrim më të ashpër për tregtinë me BE-në duke kërcënuar me tarifa dhe ka kërkuar që partnerët e tij europiano-NATO të rrisin shpenzimet për mbrojtjen kolektive.
Duke iu drejtuar të pranishmëve në Konferencën e Sigurisë së Mynihut të premten e kaluar, zv.presidenti i SHBA JD Vance mbajti një fjalim fshikullues para elitave politike të Evropës, duke sugjeruar se kërcënimi më i madh me të cilin po përballet kontinenti është ai që vjen nga brenda, nga erozioni i demokracisë.



