Politologu Roland Bejko tha në edicionin e lajmeve në Mcn Tv se strategjia e shumicës është që të marrin sa më shumë elementë nga radhët e opozitës që ta dobësojë atë jo vetëm numerikisht, por edhe moralisht. Bejko vë në dukje se ata që largohen nga PD, duke pranuar poste nga qeveria, nuk shohin asnjë perspektivë te opozita, si dhe nuk shohin ndryshim mes atyre që janë në qeveri dhe atyre në opozitës. Sipas Bejkos Berisha s’ka ndërmend të largohet nga PD, por mund të bëjë ndonjë lëvizje taktike dhe të nxjerrë “delfinë” të tij përkohësisht.
“Është strategji e shumicës, që kërkon të marrë sa më shumë elementë nga radhët e opozitës, që ta dobësojë opozitën jo vetëm numerikisht, por edhe moralisht. Ata sot s’shohin asnjë perspektive te opozita. Një pjesë e madhe të djathtëve kanë pare që s’ka asnjë lloj ndryshimi mes atyre në qeveri dhe atyre në opozitë. Fakti që qytetarët zgjodhën ta kthejnë PS-në në mazhorancë për here të 4, tregojnë që besimi te PD është minimal. Duke qenë se kanë ngelur në rrugë të madhe, diku do mbështeten. Ka edhe nga ata që s’shkojnë as te Berisha dhe as te Rama, dhe të tjerë që bëjnë plane të kalojnë te partitë e vogla të djathta. Këto janë lëvizje pragmatiste. Veliaj do bëjë gjithë përpjekjet për të pastruar veten. Por edhe sikur ta bindë opinionin publik se është i pafajshëm, raportin e ka me drejtësinë. Nëse z.Veliaj del fajtor ngelet fajtor. Të gjitha deklaratat që ai bën sa e do familjen, qytetin, bashkinë, këto s’kanë asnjë vlerë tashmë. Nëse shpallet fajtor tregon që s’e ka dashur as Tiranën, as qytetin. Berishës PD i duhet vetëm për t’u mbrojtur nga drejtësia dhe s’ka një dëshirë për ta sjellë PD-në në pushtet. Ai e ka të pamundur ta sjellë PD-në në pushtet, sepse ka akuza të deklarauara dhe nga opinioni publik, si 21 janari, Gërdeci. Berisha s’largohet nga kreu i PD, mund të bëjë ndonjë lëvizje taktike, të nxjerrë ndonjë delfin të tij, por jo të largohet. Nëse Berisha largohet dhe përmes një procesi të ndershëm, të barabartë, transparentë, procesi të nxjerrë elitën e PD, dhe të përpunojë një filozofi ndryshe nga Berishizmi, ky do të jetë lajmi më i mirë, jo vetëm për PD, por gjithë shqiptarët”.



