
Në Shqipëri nis sot zyrtarisht viti i ri shkollor parauniversitar 2021-2022.
Edhe pse mësimi do të zhvillohet fizikisht në shkolla, ambientet mësimore do të jenë nën masa të përcaktuara anti-COVID.
Mësimi do të fillojë në orën 08:00 dhe orët do të jenë nga 30 minuta, masë kjo që nxënësit mos qëndrojnë gjatë në një ambient të mbyllur.
Mësuesit janë të detyruar që të kenë certifikatë vaksinimi ose test të përjavshëm ndaj COVID-19.
Në klasa është e detyrueshme mbajtja e maskës, distanca si dhe mësimi zhvillohet me orë fikse – nga klasa e parë deri në klasën e pestë – mësimi do të zhvillohet me dy turne në orare të ndryshme.
Ministria e Shëndetësisë publikoi edhe urdhrin në lidhje me certifikatën e vaksinimit apo testimit, ku thuhej se arsimtarët janë të detyruar që të jenë të vaksinuar, ndryshe çdo javë duhet të bëjnë tampon dhe të paraqesin testin negative për Covid-19.
“Për studentët që nuk paraqesin Certifikatën e Vaksinimit Covid-19 apo kartën e vaksinimit, drejtuesit e Institucioneve të Arsimit Universitar të marrin masa për ofrimin e studimit në platforma alternative duke filluar nga 11.10.2021” thuhet në njoftim e Ministrisë së Shëndetësisë.



