"Po hiqet një padrejtësi e madhe" , tha kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një fjalim të mbajtur sot, në ditën e parë të lëvizjes pa viza.
Në konferencën për media në krah të zv.kryeministres Donika Gërvalla në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, në ditën e parë të liberalizimit të vizave Kurti tha se pritjet kanë qenë të gjata dhe qytetarët janë privuar nga shumë mundësi.
“Kjo ditë është e rëndësishme. Po hiqet një padrejtësi e madhe dhe po fitohet edhe një e drejtë e madhe. Bashkë me të po forcohet edhe pasaporta jonë. Forcimi i dokumenteve tona të udhëtimit, është forcim i dinjitetit tonë si shtet në arenën ndërkombëtare. 50 qytetarë do të udhëtojnë për në Vjenë, ata e fituan këtë të drejtë në kuadër të fushatës tonë informuese. Për herë të fundit, urime liberalizimi i vizave”, u shpreh ai.
Ndërsa ministrja Gërvalla tha: "Sa kohë është humbur edhe në mërgatë duke siguruar ftesa. E dini se sa para janë shpenzuar për dokumente dhe procedura. E dini se sa jo dinjitoze kanë qenë pritjet në rrugë”.



