Avokati Ibrahim Sako tha në Mcn Live se çështja e AKSHI-t tashmë është e kristalizuar dhe kemi të bëjmë me një strukturë të mirëfilltë kriminale. Lidhur me Suela Agon dhe Arjola Koromanin, anëtare të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Sako tha që afera korruptive ka nisur që nga Universiteti Kristal, ku janë krijuar kompani dhe në vazhdimësi penetruan në majën e strukturave shtetërore.
“Çështja është e kristalizuar. Afera korruptive ka nisur që nga Universiteti Kristal, ku janë krijuar kompani, ku seli ka qenë vetë godina e Universitetit Kristal. Në vazhdimësi, me lidhjet shoqërore dhe të biznesit, kanë penetruar deri në majën e strukturave shtetërore, si AKSHI dhe KVO. Struktura e ngritur është shumë herë me e detajuar se kaq. Janë po këta persona që bëjnë ngarkimin e dokumentacionit të kompanive. Janë po të njëjtët njerëz që bëjnë ofertën dhe japin ofertën. Është korrupsion i hapur, shpërdorim detyre, favorizim në tendera. Nga autostrada deri te Lana ngjitur me Ministrinë e Jashtme, është një strukturë e mirëfilltë kriminale, e krijuar me qëllimin e vetëm për përvetësimin e fondeve publike.
Të dhënat kanë rrjedhur nga AKSHI jo nga SHISHI. AKSHI duhet të siguronte të gjithë informacionin e klasifikuar të shtetit shqiptar. SHISHI ka dalë vetë i zbuluar nga rrjedhja e informacioneve. Kanë dalë emrat e bashkëpunëtorëve, ndërkohë që duhet të jenë në konfidencë të plotë. Informacionet që kanë dalë përdoren edhe nga agjenturat e shteteve jo mike me shtetin shqiptar. Vitet e fundit në territorin e Shqipërisë po ushtrojnë aktivitet agjenturat serbe dhe greke. Ata aktivitetin e tyre e kanë kryer më së mirë sepse vet shteti shqiptar ka qenë i zbuluar me informacionin”.



