
Volodymyr Zelensky e vlerëson Joe Biden, për mbështetjen e palëkundur të dhënë ndaj Ukrainës në pothuajse dy vitet e luftës kundër Rusisë, pas tërheqjes së tij nga gara presidenciale.
Shumë vendime të forta janë marrë në vitet e fundit që do të mbahen mend si hapa të guximshëm të ndërmarrë nga Presidenti Biden në përgjigje të kohërave të vështira dhe ne e respektojmë vendimin e tij të vështirë, por të fortë.
Gjithmonë do t’i jemi mirënjohës lidershipit të Presidentit Biden.
Ai e mbështeti vendin tonë gjatë momentit më dramatik në histori, na ndihmoi të parandalonim Putinin të pushtonte vendin tonë dhe vazhdoi të na mbështeste gjatë kësaj lufte të tmerrshme.

Në pranverë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës miratuan një paketë prej 61 miliardë dollarësh për Kievin, i cili pas muajsh ngërçi filloi të merrte armë dhe ndihma.
Tani, fotografia ndryshon. Zelensky ka pasur kontakte me Donald Trump ditët e fundit. Prej muajsh, kandidati republikan për presidencën e SHBA ka thënë se është i bindur se mund të sjellë një përfundim të shpejtë të luftës midis Ukrainës dhe Rusisë.
Trump, edhe në tubimin e tij të fundit në Michigan, përdori fjalë vlerësimi për liderët autoritarë, përfshirë Vladimir Putin dhe Xi Jinping.
Kandidati i zgjedhur për zëvendëspresident i Trump, senatori JD Vance, ka refuzuar publikisht ndihmën e dhënë nga SHBA për Ukrainën dhe në një artikull në New York Times ai e përcaktoi zgjidhjen e negociuar të konfliktit si të pashmangshme.



