Në fjalimin e saj të parë pas marrjes së detyrës si përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim theksoi mbështetjen e vendit të saj për Shqipërinë. Në një dalje live nga Ambasada Amerikane, Kim tha se do të bashkëpunojë me liderët shqiptarë në hapat e mëtejshëm të ndërtimit të sistemit të ri të drejtësisë. Po ashtu, Kim tha se SHBA-të do të vijojnë të mbështesin aspiratën e vendit tonë për anëtarësimin në BE.
“Sot ne qëndrojmë me ju jo vetëm në mbështetje të lirisë dhe sovranitetit të Shqipërisë, por edhe në mbështetje të së ardhmes. E dimë që ka punë të vështirë përpara, por ajo është më e lehtë kur ke aleatë në krah. SHBA janë të përkushtuara ta mbështesin Shqipërinë në forcimin e kandidaturës së saj për në BE. Ne do të vijojmë të mbështesim aspiratën e palëkundur të popullit shqiptar për liri dhe drejtësi. Do të punoj me liderët shqiptarë ndërsa ata ndërmarrin hapa të vështirë, por absolutisht të nevojshëm në luftën kundër krorrupsionit dhe krimit të organizuar. Jam besimplotë që teksa drejtësia dhe integriteti të hedhin rrënjë në Shqipëri, më shumë investime do të shtohen. Le të mos ketë dyshime që SHBA e vlerësojnë Shqipërinë si aleate, partnere dhe mike të vërtetë. Njësoj si në vitin 1920, 1991, 1999 dhe 2009 ne do të qëndrojnë në krahun tuaj”, tha ajo.
“Ne jemi ende me ju krah për krah”, ishte fraza në shqip me të cilën Kim mbylli fjalimin e saj.



