Pavarësisht çmimit të kripur prej 1 mijë dollarësh, iPhone X ka shënuar shitje të habitshme. Qëkur është hedhur në treg, iPhone X ka qenë çdo javë në krye të listës si modeli më i shitur.
Menaxheri i përgjithshëm i Apple, Tim Cook, i ka bërë të ditura shifrat e shitjeve të pajisjeve në tërësi, duke hedhur poshtë zërat për një performancë të dobët të smartfonit më të ri të lançuar nga kompania e tij.
Në total, kompania me bazë në Kupertino ka shitur 52.2 milionë aparate iPhone në tremujorin e parë të këtij viti.
Cook tha se iPhone X është për herë të parë smartfoni më i kushtueshëm dhe më i shitur. Sipas Cook, kjo vlen edhe për tregun në Kinë.
“Qëkur kemi hedhur në treg linjën e iPhone me iPhone 6 dhe iPhone 6 Plus në vitin 2014, kjo është hera e parë që modeli më i shtrenjtë ka gjithashtu numrin më të madh të shitjeve”, tha Cook.



