Presidenti francez Emmanuel Macron u ka kërkuar autoriteteve izraelite që të "përcaktojnë më saktë" qëllimet përfundimtare të luftës me Hamasin, ndërsa argumenton se qëllimi i deklaruar për të eliminuar totalisht grupin militant palestinez mund të rezultojë në një konflikt të gjatë.
Komentet e Macron erdhën pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotua të shtunën se do të vazhdojë me ofensivën tokësore në Gaza derisa të shpëtohen të gjitha pengjet dhe të arrihet shkatërrimi i plotë i Hamasit.
Duke folur në një konferencë për shtyp në margjinat e konferencës së OKB-së për klimën COP28 në Dubai, Macron ngriti pyetjen nëse "ndokush mendon se është e mundur zhdukja e Hamasit".
“Nëse është ky qëllimi, lufta do të zgjasë për 10 vjet,” argumentoi ai.
“Nuk mund të ketë siguri afatgjatë për Izraelin në rajon, nëse kjo siguri vjen me çmimin e jetëve palestineze, duke ndikuar në opinionet publike në rajon”, vazhdoi ai.
Armëpushimi i përkohshëm midis Hamasit dhe Izraelit përfundoi të premten, me të dyja palët që fajësuan njëra-tjetrën për rifillimin e armiqësive. Zyrtarët izraelitë kanë deklaruar vazhdimisht se nga një armëpushim gjithëpërfshirës në këtë moment do të përfitonte vetëm Hamasi.



