
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dështuan të bien dakord mbi një propozim për të mbajtur një samit me presidentin rus, Vladimir Putin, pasi vendet e BE-së që kufizohen me Rusinë, kundërshtuan, duke thënë se samiti do të dërgonte mesazh të gabuar.
Në një deklaratë të lëshuar në orët e para të mëngjesit, udhëheqësit thanë se ata “do t’i shqyrtojnë formatet dhe kushtet e dialogut me Rusinë”, pa përmendur ndonjë takim të nivelit të lartë ose plane për ndonjë samit me Putinin. Franca dhe Gjermania propozuan mbajtjen e samitit të BE-së me Putinin - i pari që nga janari i vitit 2014 - pasi presidenti i SHBA-së, Joe Biden, u takua me presidentin rus në Gjenevë, më 16 qershor.
“Ne nuk mund të vazhdojmë pa dialog. Ne duhet të flasim, përfshirë edhe për mosmarrëveshjet tona. Është mënyra e vetme për t'i zgjidhur ato”, tha presidenti francez Macron. Por, pas bisedimeve gjatë natës në një samit në Bruksel, kancelarja gjermane, Angela Merkel, u tha gazetarëve se nuk ka marrëveshje për samit.
Gjermania ka interesa të forta ekonomike në Rusi dhe dëshiron të shohë përfundimin e projektit të tubacionit Rrjedha e Veriut 2, i cili do të dërgonte gazin rus në Gjermani. Rusia është furnizuesi më i madh i BE-së me gaz natyror dhe luan rol të rëndësishëm në çështjet që lidhen me interesat strategjike të Evropës, përfshirë marrëveshjen bërthamore me Iranin dhe konfliktet e armatosura në Siri dhe Libi.
Por, BE-ja dhe Rusia janë në anët e kundërta të disa çështjeve të tjera: nga Ukraina dhe Bjellorusia deri te të drejtat e njeriut. Ato gjithashtu e akuzojnë njëra-tjetrën për ndërhyrje në zgjedhje, për përhapje të dezinformimit dhe kërcënim të sigurisë dhe stabilitetit në Evropën lindore.



