Policia e Korçës ka arrestuar 10 persona gjatë operacionit policor të koduar "Cazino", i cili kishte në shënjestër aktivitetet e kundërligjshme të lojërave të fatit.
Tre prej të arrestuarve janë pronarë lokalesh, të kapur në flagrancë duke organizuar lojëra fati me kompjuterë dhe celularë, ndërsa shtatë të tjerët ishin klientë që po luanin në ato ambiente.
Në pranga ka rënë K. L., 21 vjeç, Gj. P., 36 vjeç, dhe A. M., 57 vjeç banues në Korçë dhe Mborje, për veprat penale "Organizimi i lotarive të palejuara" dhe " Vënia në dispozicion e lokaleve për lojra të palejuara" si dhe L. M., E. R., E. S., E. K., M. K., R. M., dhe A. T., për veprën penale " Organizimi i lotarive të palejuara", të gjithë banues në Korçë.
Gjatë kontrolleve në disa lokale, u sekuestruan 9 monitorë kompjuterash, 13 aparate celularë, tableta dhe një sasi parash.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme ligjore.



