Në fokus të emisionit "Rrëfimi Juaj" sot ishte Behauddin Gashi, një personazh i cili gjithë jetën e tij ia dedikoi predikimit dhe përhapjes së fesë Islame në qytetin e Elbasanit dhe jo vetëm. Bëhet fjalë për një poet dhe shkrimtar, ku edhe veprat artistike bazohen në shkrimet e besimit mysliman.
Mes vitesh të tëra të kaluar nën dritëzimet e dëshirave më të thella rinore, Behauddini do të mposhtte barrierat më të egra të sistemit komunist, duke gjetur prehje vetëm nën madhështinë e besimit Islam.
Me një besim të palëkundur te Zoti, përmes një diturie jo të paktë të trashëguar ndër breza në familjen Gashi, Behauddini do ta shtrëngonte fort fenë Islame për të ecur më pas i sigurt në atë rrugë ku shumica e shqiptarëve madje as nuk e dinin se ekzistonte. Ai shfaqet në qytetin e Elbasanit si një trashëgimtar i një fisi tejet të madh dhe të fuqishëm nga Ferizaji i Kosovës.
Në Shqipëri, megjithëse familja dhe farefisi i tij më i gjerë do të persekutoheshin sistematikisht nga sistemi në fuqi, ai me zgjuarsinë dhe seriozitetin e përtej moshës do të vazhdonte të ishte një pinjoll i denjë për gjakun prej të cilit edhe rridhte. Dashuria për Zotin, shpeshherë e përkthyer në dëshirën e rrallë për librat, do të ishin faktorët dominues për ta kthyer Behauddinin në një artist të fjalës, i cili do të shkruante me shumë kujdes për të mos pasur fatin e familjarëve të tij pas hekurave të burgut.
Hartimet do t'ia lexonin klasë më klasë...Kur ngrihej në mësim, të gjithë nxënësit me mësuesin në krye do të heshtnin duke e dëgjuar me gojë hapur, e kjo veçmazi në orën e Letërsisë... E përkundër kujdesit maksimal si dhe faktit të të qenit nxënësi shembullor, përsëri nuk e lanë të vazhdonte shkollën e lartë... Duhet të vinte demokracia që ky i ri tashmë afro një çerek shekulli në moshë të shpaloste lirshëm dhe i qetë besimin e tij islam dhe vlerat e veçanta intelektuale...
Menjëherë e sheh veten bankave të një kursi fetar në Bursa të Turqisë, ku për shkak të moshës së kaluar nuk i jepet e drejta për të vazhduar Fakultetin Teologjik. Kthehet menjëherë në qytetin e lindjes për të vazhduar studimet në Institutin "El-Faruk" në Cërrik dhe më pas në atë "El-Hagri" në Elbasan. Pasi i mbaron me rezultate të shkëlqyera, në vitin 1996 bëhet student i vitit të parë në Universitetin Aleksandër Xhuvani po në Elbasan dhe në vitin 2000 diplomohet shkëlqyeshëm në Fakultetin e Shkencave Humane, dega Gjuhë-Letërsi ku merr edhe titullin "Mësues për lëndët Gjuhë Shqipe dhe Letërsi".
Në vitet 90-të për të riun e talentuar Behauddin do të hapej përfundimisht rruga e dëlirë drejt besimit Islam dhe predikimit të vazhdueshëm. Ai do të binte menjëherë në sy për elokuencën e rrallë dhe shpirtin e tij të paqtë që do të rrezatonte paqe e mirësi në atë shoqëri të sapo dalë nga kthetrat e një ateizmi të pashembullt. Dhe botimet e tij vërshuan, emisionet televizive gjithashtu, sikurse edhe marrja mbi supe së bashku me një elitë të madhe besimtarësh myslimanë elbasanas, por jo vetëm, e një peshe shumë të rëndë për atë kohë, siç ishte mbrojtja e vakëfeve, pronave të Myftinisë Elbasan, sidomos të truallit të atyre objekteve të kultit të shkatërruara mizorisht në të kaluarën...
Në vitet 2000 Myftinia e Elbasanit do të përballej me padrejtësi të shumta, si p.sh. edhe tjetërsimi i truallit të Xhamisë së Ballijes. Por tashmë Behauddini i kthyer në një burrë të ri mysliman, së bashku me anëtarët e tjerë të Këshillit të Myftinisë, duke ndjekur një rrugë tërësisht ligjore dhe legale, me ndihmën e Atij Zoti që ai e kishte dashur aq shumë që fëmijë dhe me të Cilin ishte afruar pafund në besim nëpër rrjedhën e viteve, arritën ta ndalojnë. Dhe sot Xhamia e Ballijes qëndron krenare dhe e paqtë mu në mes te Elbasanit...
Misioni i tij do të vazhdonte akoma plot hijeshi. Në vitin 2008 ai do të krijonte Qendrën "Korrektim dhe Rehabilitim Njerëzor - K.R.NJ". Tashmë këshilla e tij e urtë filloi të gëlojë gati në të gjitha Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (burgjet) ne Republikën e Shqipërisë. Dëshira e tij për të përçuar besimin Islam edhe në shpirtrat e të dënuarve dhe për t'i inkurajuar ata që të mos shembeshin nga pesha e vuajtjes në momentet më të vështira, do të bënte që z. Gashi të kryente maratona të tëra kilometrash drejt burgjeve me një qëllim final, aq shumë human dhe të vlerësuar: Kthimin e të privuarve nga liria në rrugën e Zotit të Lartësuar dhe respektimin e ligjit, rehabilitimin e tyre në pozitat e krijesave të pastra e të vërteta njerëzore, larg mëkateve, dhunës, padrejtësive dhe çdo lloj gjëje tjetër që kundërshton apo bie ndesh me fenë dhe ligjin.
Dhe ky sinqeritet në besim dhe kjo sakrificë e pashembullt do të bënte që edhe shumë personazhe të botës së krimit të përqafonin besimin Islam duke u penduar thellësisht... Z. Behauddin Gashi është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë që prej vitit 1997 dhe së fundmi është zgjedhur edhe N/Kryetar i Shoqatës "Lidhja e Krijuesve" të Elbasanit, ku çdo ditë motivon dhe frymëzon poetë dhe shkrimtarë të rinj dhe jo vetëm, për të mos lënë në hije rrugën e bukur të artit dhe Letërsisë... Duke u vlerësuar për kontributin e dhënë në parandalimin dhe kundërshtimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit në aktualitetin shqiptar, veçmazi me librin "NJË MYSLIMAN PËRBALLË TERRORIZMIT', ku spikat eleganca e mendimit dhe argumentimi i tij sa fetar aq edhe ligjor, i është dhënë titulli "Mesazhier i Paqes".
Duke folur mbi kohën e komunizmit Gashi tha:
“Qielli në atë kohë ka qenë gri shpesh herë me re të zeza. Re të zeza ku mbytej çiltërsia e fëmijës, ku mbytej fjala e lirë, drita e besimit, ku mbytej dashuria për jetën e pastër, të sinqertë, të çiltër. Imagjino që midis kësaj zallamahie ky Behauddini përpiqe të mbante lidhjet me Zotin, njëkohësisht në shkollë të ishte më i miri dhe njëkohësisht të mos binte në sy për bindjet e tij fetare”.
Sa i takon të burgosurve që kanë përqafuar Islamin, Gashi u shpreh:
“Ka shumë persona që e kanë përqafuar Islamin brenda hekurave të burgut. Dhe thonë ku paskemi qenë ne! Ka edhe prej atyre, që kanë thënë shyqyr që jemi në burg, sepse ndoshta po të kishim qenë jashtë s’do ta kishim pranuar fenë fare, se do merreshim me femra, me drogë, me budallallëqe, duke vrarë e duke prerë”.



