Gjykata e Lartë ka rrëzuar vendimin e Apelit Administrativ, që bllokoi procesin e fiskalizimit të karburanteve me kërkesë të kompanisë Noa Control. Në dhjetor të vitit 2020, qeveria nxori një vendim për “PËR PËRCAKTIMIN E METODOLOGJISË DHE TË PROCEDURAVE TË MONITORIMIT TË QARKULLIMIT NË FUSHËN E HIDROKARBUREVE”.
Vendimi i qeverisë përcaktonte procedurat se si do të bëhej fiskalizimi i pikave të karburanteve dhe mënyrën se si do të përzgjidheshin, kompanitë që do të ofronin këtë shërbim. Sipas nenit 7 të tij, shërbimi i fiskalizimit për kompanitë e karburanteve do të ofrohej nga 3 kompani private që do të përzgjidheshin nga një komision i përbashkët mes AKSHI-t dhe Tatimeve. Por vendimi përcaktonte gjithashtu se në kompanitë e përzgjedhura nuk mund të ishte asnjë operator i kontraktuar nga administrata shtetërore për një hallkë tjetër të procesit të kontrollit të hidrokarbureve.
Kjo pikë e fundit ndalonte shoqërinë Noa Control, që të ishte një prej 3 kompanive të licencuara, pasi kjo kompani ka aktualisht koncesionin e kontrollit të pompave të karburanteve. Por Noa pretendonte se shërbimi i fiskalizimit të kompanive të karburanteve I takonte asaj si monopol pasi e kishte në kontratën e koncesionit për kontrollin e pompave. Për këtë arsye sapo vendimi I qeverisë u publikua në fletoren zyrtare Noa Control e sulmoi në gjykatë.
Fillimisht gjykata mori masën e sigurimit të padisë. Më pas çështja vazhdoi në themel dhe kompania Noa e fitoi gjyqin me vendim të formës së prerë në Apelin Administrativ, i cili vendosi të rrëzonte. Por qeveria e ankimoi çështjen në gjykatën e lartë. Dhe gjykata e lartë këtë të mërkurë vendosi që të prishë vendimin e apelit dhe të pushojë gjykimin e çështjes duke e rikthyer në fuqi vendimin e qeverisë.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse qeveria do të zbatojë vendimin e saj për të licencuar tre operatorë privatë që do të ofrojnë shërbimin e fiskalizimit për karburantet. Që nga dalja e vendimit kanë kaluar mbi 2 vjet e gjysmë dhe nuk është çudi që shumë gjëra të kenë ndryshuar. Ndërkohë që në korridoret e qeverisë kanë nisur kulisat edhe për dy koncesione të tjera fitimprurëse, markimin e karburanteve, i cili përfundon muajin tjetër dhe atë të pullave fiskale, të cilin qeveria e zgjati me 1 vit e gjysmë. Dhe brenda kulisave të këtyre dy kontratave mund të ketë rokadë, mes kompanive që kanë kontrata koncesioni në fushën e karburanteve.



