Duke filluar nga e hëna e 9 nëntorit, sipas një njoftimi të Gjykatës Speciale në Hagë, ish-krerët e UÇK-së përfshirë edhe Hashim Thaçin, do të dëshmojnë në gjykatë. Ish-presidenti i Kosovës thuhet se në seancën e parë do të njihet me të drejtat e tij.
“Gjithashtu, seanca mund të përcillet edhe nga galeria publike e sallës së gjyqit në ndërtesën e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Po ashtu, DHSK-ja ka edhe një qendër të posaçme për median në ndërtesën e vet në të cilën gazetarët mund të punojnë dhe të përcjellin seancat me një vonesë të shkurtër.”, thuhet në njoftimin e Speciales.
Kadri Veseli, ish-kryeparlamentari i Kosovës, do të dalë para gjykatës ditën e martë me 10 nëntor. Ndërkohë ish -shefi i Grupit Parlamentar të VV’së, Rexhep Selimi, do të paraqitet para Gjykatës Speciales për herë të parë të mërkurën (11 nëntor) në orën 11:00.
Paraqitja e tij e parë do të mbahet në seancë publike. Gjatë seancës, gjykatësi i procedurës paraprake siguron që të respektohen të drejtat e të akuzuarit, ndër të cilat e drejta për përfaqësim ligjor dhe që i akuzuari të kuptojë akuzat kundër tij.
Ndërkohë nuk dihet ende data e seancës për Jakup Krasniqi i cili është një tjetër i arrestuar në rradhët e figurave të larta politike.
Ndaj personave në fjalë është ngritur akuza për krime lufte nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999.



