
Gjykata e Kurbinit ka dhënë sot masën për dy mjekët të cilët pranuan të operojnë Eduart Lamajn, personin e akuzuar si atentatori i biznesmenëve Bujar Lika dhe Paulin Gjergji mbrëmjen e 30 majit 2020 në Laç-Mamurras.
Gjykata ka vendosur të lërë në burg dy mjekët, Besim Lama dhe Viktor Marku, të cilët akuzohen për veprat penale “moskallëzim krimi” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Mjekët, Viktor Marku 42 vjeç dhe Besim Lama 46 vjeç, njëri ortoped i Lezhës dhe tjetri kirurg i spitalit Ushtarak, kishin pranuar të operonin Lamajn, pa referuar ngjarjen në polici. Në këmbim raportohet se dy mjekët do të merrnin shumën e 10 mijë eurove.
Eduart Lamaj, i cili më herët kishte patur edhe emrat Andri Lamaj e Leandro Simoni, ishte më parë një person i skeduar nga policia, ndërkohë që për ngjarjen në fjalë ka pranuar të bëhet bashkëpuntor i policisë, duke treguar emrat e bashkëpuntorëve në krim.



