Mbajtja e maskës në mjediset e mbyllura bëhet e detyrueshme me ligj.
Në situatën e krijuar nga rritja e numrit të rasteve të reja me Covid-19, qeveria ka vendosur sanksionimin me ligj të përdorimit të maskës si masë parandaluese për përhapjen e infeksionit.
“Sakrifica nuk është mbyllja, është mbajtja e maskës në çdo ambient të mbyllur”, tha ministrja Manastirliu.
Zbatimi i masës do të monitorohet nga Policia e Shtetit, Policia Bashkiake dhe strukturat e inspektorateve shtetërore. Masa e gjobës është vendosur 2 mijë lek të reja për çdo thyerje të rregullit.
“Detyra dhe qëllimi ynë kryesor është ruajtja e shëndetit. Në funksion të këtij qëllimi, kemi miratuar edhe këtë Akt Normativ dhe për të cilin kërkojmë mirëkuptimin tuaj. Përdorimi i maskës ka një efikasitet të lartë në kufizimin e përhapjes së virusit, mbështetur kjo dhe në rekomandimet e Qendrës Europiane te Kontrollit të Sëmundjeve, Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe e vërtetuar nga eksperienca e shumë vendeve. ‘Sakrifica’ që kërkohet prej jush nuk është mbyllja. Ajo çfarë kërkohet është vendosja e maskës, për të mbrojtur veten, për të mbrojtur të afërmit”, tha Manastirliu.
Një masë e tillë ishte paralajmëruar që dje nga drejtuesja e Komitetit të Ekspertëve, Mira Rakacolli, në një intervistë për TvT.



