
Një prej aktorëve që e kanë kundërshtuar ndërtimin e një teatri të ri, Arben Derhemi, thotë se në lidhje me këtë çështje nuk ka ende asnjë marrëveshje. I kontaktuar nga Tema TV, Derhemi tha se takimi me Veliajn ka qenë thjesht në kuadrin e bisedimeve.
“Nuk ka marrëveshje, ishin thjesht bisedime”, tha Derhemi, ndërsa shtoi se është propozuar ngritja e një grupi përfaqësues për të mbrojtur çështjen e teatrit si dhe e një grupi ndërkombëtar që do të shqyrtojë dhe vlerësojë ecurinë e saj.
Sot në mesditë, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, njoftoi përmes rrjeteve sociale se ka arritur një marrëveshje në lidhje me Teatrin Kombëtar. Në një postim në profilet e tij, Veliaj shfaqet krah artistëve që kanë kundështuar prishjen e Teatrit Kombëtar: regjisori Altin Basha dhe aktorët Arben Derhemi e Alfred Trebicka.
Veliaj u shpreh se marrëveshja e arritur me artistët është një dritë jeshile për negociatat për një teatër të ri. Sipas Veliajt, është rënë dakord që në ligj të jepen garancitë e duhura për artistët që Teatri i Kombëtar do të jetë në sipërfaqen ku ndodhet sot, me një godinë të vetme dhe të bëhet pa shpenzime të fondeve publike. “Projekti që kemi sot është më i mirë. Nuk është ndoshta projekti perfekt, por tashmë e kemi të sanksionuar në ligjin që do të negociojë teatrin e ri, se prona e teatrit nuk preket, që e negocion teatrin e ri si një ndërtesë monovolum, pa kulla sipër, dhe që e negocion këtë teatër të ri me çelësa në dorë, me para të privatit”, shtoi Veliaj.
Ndërsa për regjisorin Altin Basha, ky është një hap i parë konsensual dhe bisedimet do të vijojnë edhe më tej për të finalizuar një marrëveshje të plotë. “Kemi rënë dakord për një fazë të parë. Mbeten akoma disa çështje për t’i diskutuar, kemi marrë garanci që ato do të sqarohen në proces e sipër. Shumë shpejt do të kemi një dëgjesë tjetër në formën e një debati për disa çështje të cilat akoma na kanë mbetur të papërfunduara. Mendojmë se në këtë proces kemi gjetur disa pika të cilat kanë qenë të rëndësishme për ne, për të qenë prezent në ligj. Po themi edhe një herë, është një fazë e parë, procesi sapo ka nisur dhe sigurisht që mbetemi ende në komunikim për detajet të mëtejshme”, tha Altin Basha.
Javët e fundit, Bashkia e Tiranës ka zhvilluar disa dëgjesa publike me artistë, arkitektë e urbanistë në lidhje me çështjen e Teatrit të ri Kombëtar. Shumica e dëgjesave janë karakterizuar nga debate të ashpra dhe kundërshime nga artistët në lidhje me projektin e propozuar nga bashkia.
Por në dëgjesën e fundit që pati me artistët, Veliaj tha se ishte dakord që të mos prekej asnjë centimetër i truallit të Teatrit Kombëtar.



