Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus u ka bërë thirrje qytetarëve në të gjithë botën të mos grumbullojnë maska dhe mjete të tjera mbrojtëse, pasi ato janë të nevojshme vetëm për ekipet mjekësore që luftojnë koronavirusin dhe jo për popullatën.
Në konferencën e tij të përditshme me mediat për koronavirusin, Tedros tha se jemi të shqetësuar se aftësitë e vendeve të ndryshme për t’u përgjigjur po dëmtohen nga çrregullimet e mëdha dhe në rritje në furnizimin global me pajisje mbrojtëse personale të shkaktuara nga rritja e kërkesës, grumbullimi dhe keqpërdorimi.
Një ditë më parë, ai tha se "mungesat po i lënë mjekët, infermierët dhe punonjësit e tjerë të vijës së parë të paaftë për tu kujdesur për pacientët me COVID-19".
Tedros shpjegoi se koronavirusi ashtu si edhe gripi i zakonshëm sezonal shkakton probleme të frymëmarrjes dhe përhapet në të njëjtën mënyrë, por koronavirusi, saktësoi ai, nuk përhapet në mënyrë efikase.
Ai tha gjithashtu se COVID-19 shkakton raste më të rënda sesa gripi sezonal dhe se frenimi i koronavirusit është i mundur, ndryshe nga gripi sezonal./Reuters/



