
Regjisori Kastriot Çipi ka treguar për emisionin e tij më të ri “Teori konspiracioni, apo e vërtetë?”, i cili nis rrugëtimin në ekranin e televizionit MCN TV nga 24 nëntori.
Ai tha se përveç konspiracionit botëror fokusi do të jetë dhe te teoritë shqiptare ku për “Zgjohu me MCN” zbuloi se PD dhe PS kanë një bashkëpunim të fshehtë mes tyre që nis nga viti 1992. Sipas tij dhe Berisha ME Bashën janë duke bashkëpunuar për të shkatërruar PD, pasi nuk u intereson bashkimi i bazës.
Kam luajtur me këtë titull. Fjala teori konspiracioni ka hyrë vonë në zhargonin e gjuhës sonë. Për herë të parë kur pamë se mediat ishin të lira kishin njëlloj censure, plandemi për vaksinën dhe pastaj zbuluam se ekziston një teori e tërë konspiracioni por më e famshmja është vrasja e Kenedy.
Kam vënë re se këto 3 vite të paktën që s’kualifikohen kollaj duke thënë se është teori, si fjalë boshe, por ka disa raste kur qeveria nuk të bindë kaq lehtë sepse ka shumë pika të errëta në një histori që qeveria mund ti zbardhë dhe njerëzit kanë pikëpyetje. Sigurisht që ndërtohet narrativa, por për sa kohë qeveritë mbajnë sekrete konspiracioni do të jetë. Emisioni do të jetë 1 herë në javë, do ketë debat, por dhe intervista.
Ai tha se nuk mund të thotë për veten se beson te të gjitha teoritë konspirative, por shprehet se ka shumë gjëra të pazbardhura.
Ka pika që nuk lidhen. S’kam mundësinë praktike të bëj zbardhje të konspiracionit të botës dhe as të Shqipërisë sepse një hetim i vetëm se bëj dot, duhen stafe, por ajo që dua të bëjë është se jo çdo gjë që shikoni në gazeta, tv, apo rrjetet sociale është e vërtetë. Shqipëria ka konspiracionet e veta me të cilat do të merren dhe kam bindjen se midis PS dhe PD ka një bashkëpunim që fillon nga ‘92. Ka pasur gjithmonë një marrëveshje se si këto dy parti të ndajnë pjesën më të madhe të tortës.
Kanë tentuar ti marrin vota njëra-tjetrës, gjithmonë kanë pasur një marrëveshje që më mirë të vjedhim njëri- tjetrin se sa të vegjlit të na vjedhin bashkë. Sistemi zgjedhor është një nga aspektet, sepse dhe kushtetuta është shenjë tjetër e hapur për ti marrë sovranitet popullit. Madje mund të zbuloj për ju se kam bindjen se Berisha dhe Basha po bashkëpunojnë për të shkatërruar PD. Ajo që shoh unë është se asnjëra palë nuk do të bashkojë bazën dhe të kthejë normalitetin në parti. Emisioni fillon në datë 24 nëntor.



