Paddy Cosgrave, themeluesi dhe shefi ekzekutiv i konferencës më të madhe vjetore të teknologjisë në Evropë, Web Summit, dha dorëheqjen pas polemikës që hapi një postim i tij për luftën Izrael-Hamas.
Cosgrave, sipërmarrës irlandez i cili bashkëthemeloi Web Summit në vitin 2009, u bojkotua nga disa kompani të mëdha pasi kritikoi mbështetjen ushtarake që Perëndimi po i jep Izraelit pas sulmit të Hamasit.
Eventi vjetor që Cosgrave ka themeluar ishte planifikuar të mbahej në datat 13-16 nëntor në Lisbonë, Portugali.
"Krimet e luftës janë krime lufte, edhe kur kryhen nga aleatët," shkroi Cosgrave në mediat sociale më 13 tetor, duke iu referuar sulmeve ajrore të vazhdueshme të Izraelit dhe bllokadës së Rripit të Gazës, për të cilat OKB-ja ka paralajmëruar se mund të çojë në krizë ushqimi për 2.3 milionë njerëz që jetojnë atje.
Kritikat nga figurat dhe investitorët kryesorë të teknologjisë e detyruan Cosgrave të postonte një deklaratë në blogun e Web Summit, me të cilën kërkonte falje dhe sqaronte pozicionin e tij.
“Unë dënoj pa rezerva sulmin e keq, të neveritshëm dhe monstruoz të Hamasit të 7 tetorit. Gjithashtu bëj thirrje për lirimin pa kushte të të gjithë pengjeve”, citohet deklarata nga Politico.eu. "Unë mbështes pa mëdyshje të drejtën e Izraelit për të ekzistuar dhe për të mbrojtur veten... Unë gjithashtu besoj se, duke mbrojtur veten, Izraeli duhet t'i përmbahet ligjit ndërkombëtar dhe Konventave të Gjenevës - d.m.th., të mos kryejë krime lufte."
Por deklarata nuk ishte e mjaftueshme për t’u kthyer mendjen sponsorëve kryesorë dhe titullarëve që njoftuan se do të bojkotojnë ngjarjen e Samitit të Uebit, duke përfshirë kompanitë e mëdha të teknologjisë si Meta, Google, Intel, Siemens dhe Amazon.



