Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo, vizitën e ish-Presidentit amerikan Bill Klinton e sheh si projekt të vjetër, pasi kujtoi se e premtoi fillimisht në 1999 dhe më tej u anulua për arsye sigurie, dhe më tej në vjeshtën e po atij viti, por që sërish u shty. Nga studio e lajmeve të MCN Tv, ai ngriti dy pista, duke thënë se ardhja pas 24 vitesh e Klinton në Shqipëri, është realizimi i një premtimi të vonuar apo se nëse mbas kësaj vizite mund të ketë një mision. Milo deklaroi se mendon që për shkak të autoriteti të madh që ka Klinton qoftë në Shqipëri dhe Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor ai vjen me një mision që në këto momente të vështira kur marrëdhëniet mes SHBA dhe Kryeministrit Albin Kurti janë të tensionuara për një çështje mjaft delikate për marrëdhëniet me Serbinë. “Ndoshta ka ardhur që të thotë dhe ai një këshillë se si duhet të veprojnë dhe ndoshta shqiptarët në Prishtinë, Kryeministri Kurti dhe qeveria e tij duhet ta respektojnë dhe t’i dëgjojnë. Në ditët më të vështira të tyre në 1999 ndonëse udhëheqësit e atëhershëm të Kosovës kishin ngurrim për të pranuar këshillat amerikane, ata në fund u bindën se SHBA i mbështesnin, u donin të mirën dhe në 23 shkurt 1999 ata i thanë po marrëveshjes, këmbënguljes amerikane që ta pranonin. Tani jemi në një moment në mos aq dramatik sa 1999, jemi në një moment kolapsi që ka elementë të krizës që mund të çojë në zhvillime të paparashikuara, ndaj mundet që ndërhyrja e Presidentit Klinton në Prishtinë, mund të jetë shumë e dobishme dhe e mirëpritur. Kjo vizitë nuk është thjesht për imazhin e Kryeministrit shqiptar që është mjeshtër për shfrytëzimin e vizitave të kësaj natyre, por është rezultat i përpjekjeve të tij të kahershme për të sjellë Presidentin Klinton në Tiranë. Skenarin e vizitës nuk e dimë qartësisht. Presidenti Klinton nuk dëshiron që t’i japë vizitës së tij përmasa zyrtare, ndaj dita e nesërme nuk ka aktivitet zyrtar publik, mund të jetë thjesht dhe aktivitet turistik para se të largohet. Ai ka patur kujdes të mos i japin vizitës dimensione publike zyrtare, përtej asaj që i takon, pavarësisht nga respekti dhe krenaria të presin një personalitet të shquar si Klinton.” Sa i takon tërheqjes së Kryeministrit Edi Rama nga Ballkani i Hapur, Milo tha se nuk ka qenë asnjëherë nismë e SHBA dhe DASH dhe se autoritetet amerikane nuk e kanë marrë asnjëherë autorësinë e Ballkanit të Hapur, por se sidomos nga fundi i procesit të Ballkanit të Hapur kanë dhënë një miratim ose një lloj mbështetje. Sipas tij, amerikanët kanë qenë pro, e kanë shfaqur dakordësinë si një çështje e cila nuk ishte kundër, nuk mund të pengonte, përkundrazi kanë qenë të kujdesshëm që ajo të ravijëzohej si një iniciativë rajonale. Ndërkohë për nismën Ballkani i Hapur shtoi se rezerva ka pasur, ndonëse në parim e cilësoi të drejtë. Në këtë drejtim deklaroi po kur vjen puna për tu zbatuar në një terren kaq të vështirë si Ballkani Perëndimor, nuk mund të zbatohej si një iniciativë e suksesshme, ishte një mbivendosje lokale e procesit të Berlinit. Milo tha se sa kohë që në këtë nismë të Ballkanit të Hapur merrnin pjesë 3 vende të Ballkanit Perëndimor dhe jo 6, atëherë kjo nismë që nga fillimi ishte gjysmake dhe nuk kishte shans për të pasur sukses. “U bënë disa takime dhe marrëveshje që u përpoqën të krijojnë një frymë bashkëpunimi, që në fund nismat janë pozitive por terreni tek i cili ato mbështeteshin nuk garantonin sukses. Rivitalizimi i Procesit të Berlinit pas ardhjes së kancelarit Scholz në Berlin, bëri që tashmë kjo nismë nuk mund t’i kundërvihej Procesit të Berlinit dhe për më tepër që Shqipëria është caktuar në muajin tetor të pres samitin e Procesit të Berlinit kur do të vijnë këtu kryetarë shtetesh dhe qeverish që do të kenë jehonë të madhe. Vendi mikpritës i Procesit të Berlinit, nuk mund të jetë dhe një iniciues i një nisme që i mbivendoset Procesit të Berlinit. Për këtë arsye Edi Rama shpalli ndoshta dhe pa dijeninë e Vuçiç që Ballkani i Hapur ka marrë fund si mision. Një arsye tjetër për këtë deklaratë të zotit Rama është se fakti në momentin që priteshin të hidheshin hapa para në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, këto marrëdhënie jo vetëm nuk u përmirësuan por u përkeqësuan. Për rrjedhojë kjo ishte një goditje që iu dha nismës dhe nuk kishte më kuptim që nisma që u krijua me disa synime pozitive, nuk arriti, përkundrazi përkeqësoi klimën në Ballkanin Perëndimor. Kjo bëri që Rama të thotë që misioni i Ballkanit të Hapur ka marrë fund.”



