
Gjykata e Krimeve të Rënda pritet të japë sot në 16:00 vendimin për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Ish-ministri ka deklaruar se nuk ka asnjë provë që ai të dënohet. Ai ka deklaruar se nëse i provohet akuza, do të shkojë vetë në burg.
"Kam 2 vjet që jam nën hetim, unë, ministri i Brendshëm, akuzohem se kam trafikuar drogë. S'ka asnjë provë. E vetmja provë është se i kam shitur makinën vëllait të Moisi dhe Florjan Habilaj, që nuk është i përfshirë në asnjë akuzë kriminale. Edhe sikur të isha vëllai i Habilajve nuk kisha pse të jem fajtor se vëllezërit merren me drogë. Unë kam qenë në drekë në Dajt me Edi Ramën dhe qeverinë në 23 prill dhe jo me Habilajt. Ja ku janë titujt e gazetave që e kanë publikuar dhe në foto unë me Ramën. Për mua është jeta ime në këtë proces, për ju është vetëm një proces. Më kanë vëne edhe bomba gjatë punës time. Iki në burg vetë nëse më vërtetohen akuzat", tha Tahiri.
Në seancën e fundit, atë të datës 10 shtator, Prokuroria kërkoi 12 vite burg për Tahirin.
Sipas akuzës, ish-ministri i Brendshëm u ka siguruar mbrojtje grupit të trafikantëve, ku bënin pjesë edhe kushërinjtë e tij të njohur ndryshe si vëllezërit Habilaj.



