Që prej orës 08:00 të mëngjesit të kësaj të shtune, anëtarët e Partisë Demokratike kanë nisur procesin e votimit për kryetarin e partisë, ku kandidat i vetëm është Sali Berisha. Në të gjithë vendin janë ngritur 87 qendra votimi në 77 degë të PD-së.
Sipas Komisionit të Zgjedhjeve në PD, gjatë tri orëve të para të procesit kanë votuar rreth 12 mijë anëtarë. Votimi do të vijojë deri në orën 18:00, ndërsa numërimi i votave, sipas udhëzimit, do të kryhet në qendrat e votimit.
Nga Durrësi dhe Elbasani, gazetarët e MCN TV kanë raportuar mbi ecurinë e procesit.
Gazetarja Ervina Garo, nga Durrësi, tha se procesi po zhvillohet normalisht dhe pa incidente.
Vijon procesi i votimit lidhur me referendumin për daljen e demokratëve për të rikonfirmuar Berishën lider të PD-së. Procesi ka qenë i qetë deri tani. Pjesëmarrja ka shkuar në 20%, por pritet ora 18:00 për të parë të gjithë ecurinë dhe mbarëvajtjen e procesit të votimit.
Ndërkohë, nga Elbasani, gazetarja Entela Duka raportoi se procesi po vijon pa problematika dhe me pjesëmarrje të konsiderueshme.
Në fakt edhe demokratët në Elbasan janë thirrur për të marrë pjesë në procesin e zgjedhjeve për të votuar për Sali Berishën si kreu i PD-së për 4 vitet e ardhshme.
Procesi ka nisur dhe vijon normalisht. Deri tani s’ka asnjë problematikë dhe aktualisht rezulton të kenë votuar rreth 500 demokratë.
Edhe në deklaratat e dhëna për mediat ata kanë konfirmuar mbështetjen për liderin Berisha dhe kryesisht janë të moshës së tretë. Duhet të shohim deri në fund se si do të vijojë ky proces.



