Analisti Andi Bushati duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV tha që SHBA e humbi kauzën për të neutralizuar Berishën përmes shpalljes së tij “non grata”.
Megjithatë Bushati po ashtu vë në dukje se SHBA ia doli që të atomizojë opozitën dhe të forcojë pushtetin e Ramës.
I pyetur a e humbën amerikanët kauzën për ta neutralizuar Berishën me një “non grata”, Bushati tha:
"Nëse pyetja shtrohet kështu po. Por a ka qenë qëllimi për të neutralizuar Berishën, apo ka qenë qëllimi i vërtetë i non gratës që të forconte pushtetin e Ramës duke përçarë opozitën. Unë renditem mes atyre që besojnë të dytën. Pra që me skema alla McGonigal ka pasur një sponsorizim për të përçarë opozitën shqiptare, njëher se paguhet nga rusët, një herë se Meta s’duhet të manifestojë me flamur amerikan, njëherë me non gratën, etj. etj. Ndonëse Berishën s’e nxorën dot nga skena opozitare, qëllimit final për të atomizuar opozitën dhe për të forcuar pushtetin e Ramës në krahasim me faktorët e tjerë politik, ia arritën qëllimit".
Analisti i qëndron mendimit se Edi Rama s’e ka shitur ende kryebashkiakun Erion Veliaj.
"Unë vazhdoj të këmbëngul që Rama s’e ka shitur Veliajn. Unë mendoj se ende do ta përdorë Veliajn dhe është shumë larg asaj që presin shumë opozitarë që Rama e ka shitur Veliajn. Largimi i gjithkujt mund të arrihet me protesta, por largimi i Veliajt s’mund të arrihet me protesta me 200 veta, ku një pjesë dalin edhe me t-shirte për lirimin e Berishës. Megjithëse çështja është skandaloze, opozita s’po arrin të mbledhë njerëz në shesh për Veliajn”.



