Përjashtimi i ish-liderit të PD, Sali Berisha, nga Grupi Parlamentar i PD, për analistin nga Kosova, Nexhmedin Spahiu, rrjedhimisht erdhi pas vet përkrahjes dhe ngritjes së tij si politikan me ndihmën amerikane dhe sot 30 vite pas, pikërisht po nga ky aleat u rrënua.
“Një politikan në Ballkan nuk mund të ngrihet nuk mund të dal në sipërfaqe pa ndihmën amerikane, pikërisht Berisha ishte ai që erdhi me këtë përkrahje, mund të ishte ndoshta një tjetër lider post komunist në Shqipëri dhe tani pikërisht nga po këta aleat u rrënua, dhe pati një përfundim që sigurisht nuk do ta dëshironte asnjë politikan, por nuk është i vetmi, sepse janë të tillë të shumtë që qoftë kanë bërë ndonjë mëkat, ose edhe nësë nuk kanë bërë fare, ose thjesht vet ekzistenca e tyre në skenën politike është një pengesë për politikat e caktuara amerikane, atëherë sakrifikohen dhe hidhen poshtë”.
Përmes Skype, në analizën e tij, analisti Spahiu, preku edhe një argument që sipas Berishës mund të ketë qenë një nga faktorët e largimit, lidhur me kundërshtimin e tij për ndarjen e Kosovës.
“Jo, besoj se ky është më tepër spekulim i Berishës për ta mbrojtur veten, amerikanët nuk janë të interesuar që ta ndajnë Kosovën, sikur ata të donin, edhe e bënin, sepse nuk është që në kemi një qëndrim, nuk është që jemi aq të mirë, aq patriot sa edhe ta pengojmë këtë proces, Kosova ekziston në saje të politikës amerikane si shtet, dhe sigurisht “loja” që është bërë për “ndarjen e Kosovës” përmes Thaçit, Ramës, dhe Boltonit, thjesht ka qenë një lojë amerikane për ta joshur Rusinë drejt hapave të njohjes së Kosovës, edhe Serbinë, edhe Rusinë, në këtë rast, sepse pa atë lojë, do të ishte i pamundur takimi Thaçi-Putin, si një takim historik, jo vetëm për Kosovën, por edhe për vet politikën amerikane, ai pranoj të takohet me një krijesë që e kanë krijuar amerikanët. Pra u dëshmua që kjo ishte një lojë, Berisha nuk ka pasur këtu pse të jetë, sepse në ndërkohë derisa disa politikanë u instruktuan nga amerikanët përmes qarqeve të ndryshme që të futen në këtë lojën e ndarjes së Kosovës, shumë të tjerë janë instruktuar që ta kundërshtojnë këtë ndarje dhe po mendoj, secili ka pasur rolin e vet, hisen e vet në këtë lojë politike, dhe nuk ka pse amerikanët ta kenë marrë inat për këtë qëndrim që ka mbajt Berisha, në këtë rast, shumë të drejtë rreth moscoptimit, mosndarjes së Kosovës”.
Lidhur me faktin se nëse rasti i Berishën si person “non grata”, mund të cilësohet si një rast i izoluar ose mund të jetë një operacion politik i spastrimit politik në Ballkan, për analistin Spahiu, është e vështirë të kuptohet politika amerikane nëse kanë gabuar ose jo në kalkulimet e tyre.
“Është e vështirë për ta kuptuar politikën amerikane sepse politika e fuqishme të dallon nga politika e atyre si psh, Francës, Anglisë, Turqisë, ose të ndonjë vendi të etabluar, ose më pak të fuqishëm, të cilët bëjnë shumë kujdes se çfarë bëjnë, amerikanët edhe gabojnë shpesh në kalkulimet e tyre, po ata nuk ka kush ti kërkoj llogari si superfuqi e botës që janë, dhe ne tash e kemi të pamundur të kërkojmë llogari, dhe tani e kam të vështirë të them nëse fakti se kanë sakrifikuar Berishën është një gabim i tyre në kalkulim, apo një kalkulim i mirëkalkuar i cili është në ndonjë funksion të ndonjë strategjie të caktuar për rajonin dhe për politikën globale”.



