Drejtori i Mossad-it, Yossi Cohen, është përfshirë personalisht në një komplot sekret për t'i bërë presion Fatou Bensouda-s që të heqë dorë nga hetimi për Palestinën.

Ish-kreu i Mossad-it, agjencisë së inteligjencës së jashtme të Izraelit, dyshohet se kërcënoi një kryeprokurore të Gjykatës Penale Ndërkombëtare në një seri takimesh sekrete. The Guardian shkruan se, gjatë këtyre takimeve Cohen u përpoq t'i bënte presion asaj që të anulonte hetimin për krime lufte.

Kontaktet e fshehta të Yossi Cohen me prokuroren e atëhershme të GJNP-së, Fatou Bensouda, janë kryer para vendimit të saj për të hapur një hetim zyrtar mbi krimet e dyshuara të luftës dhe krimet kundër njerëzimit në territoret e pushtuara palestineze.

Ky hetim, i nisur në vitin 2021, arriti kulmin javën e kaluar kur pasardhësi i Bensouda, Karim Khan, njoftoi se ai do të kërkonte një urdhër arresti për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, mbi sjelljen e vendit në luftën e tij në Gaza.

Vendimi i prokurorit për të aplikuar në dhomën e procedurës paraprake të ICC-së për urdhër-arrest për Netanyahun dhe ministrin e tij të mbrojtjes, Yoav Gallant, së bashku me tre liderë të Hamasit, është një rezultat që struktura ushtarake dhe politike e Izraelit e ka frikë prej kohësh.

Përfshirja personale e Cohen në operacionin kundër ICC ndodhi kur ai ishte drejtor i Mossad. Aktivitetet e tij ishin të autorizuara në një nivel të lartë dhe të justifikuara mbi bazën që gjykata përbënte një kërcënim për ndjekje penale kundër personelit ushtarak, sipas një zyrtari të lartë izraelit.

Një tjetër burim izraelit i informuar për operacionin kundër Bensouda tha se objektivi i Mossad ishte të komprometonte prokuroren ose ta regjistronte atë si bashkëpunëtore e Izraelit.

Një burim i tretë i njohur me operacionin tha se Cohen po vepronte si "lajmëtari jozyrtar" i Netanyahut.

Cohen, i cili ishte një nga aleatët më të ngushtë të Netanyahut në atë kohë dhe po shfaqet si një forcë politike më vete në Izrael, drejtoi personalisht përfshirjen e Mossad-it në një fushatë gati dhjetëvjeçare nga vendi për të minuar gjykatën.

Katër burime konfirmuan se Bensouda kishte informuar një grup të vogël zyrtarësh të lartë të ICC-së për përpjekjet e Cohen për ta ndikuar atë, mes shqetësimeve për natyrën gjithnjë e më këmbëngulëse dhe kërcënuese të sjelljes së tij.