Presidenti i Venezuelës Nicolás Maduro ka nënshkruar një dekret që bllokon aksesin në platformën e mediave sociale X, dikur Twitter, për 10 ditë pas një mosmarrëveshjeje me pronarin Elon Musk.
Maduro dhe Musk kanë shkëmbyer fjalë të ashpra që kur Maduro u shpall fitues i zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale të muajit të kaluar.
Musk e ka përshkruar liderin venezuelian si një “diktator” dhe “klloun”, ndërsa Maduro e ka akuzuar Musk për nxitje të “urrejtjes, fashizmit dhe luftës civile”.
Ndërkohë nuk kanë të ndalur protestat në Venezuelë, kundër rezultatit të zgjedhjeve presidenciale që shpallën edhe njëherë fitues presidentin Nicolas Maduro.
Rezultati u kundërshtua nga opozita dhe faktori ndërkombëtarë dhe që nga ajo ditë njerëzit kanë dalë në rrugë për të kërkuar largimin e Maduros, duke u përballur me policinë dhe ushtrinë.
Në daljen e tij të fundit në publik, në Karakas, Maduro vendosi të ndalojë përkohësisht përdorimin e rrjetit social X, i cili sipas tij po nxit një luftë civile mes venezuelianëve.
Megjithatë, ekspertët dhe opozitarët i frikësohen faktit se pas X shumë platforma të tjera apo rrjete ndërkombëtare lajmesh do të kenë të njëjtin fat, për të bllokuar fjalën e lirë.
Që nga zgjedhjet, Maduro ka shprehur nevojën për të "rregulluar" rrjetet sociale në Venezuelë.
Ai gjithashtu pretendoi se platforma sociale ishte përdorur nga kundërshtarët e tij për të kërcënuar familjet e ndjekësve dhe aleatëve të tij politikë, personelin ushtarak, oficerët e policisë dhe për të krijuar një gjendje ankthi në Venezuelë.



