“Fast” u kodua një operacion i policisë së Tiranës gjatë të cilit u vu në pranga një person i kapur me armë zjarri me vete teksa lëvizte me makinë.
Forcat “Shqiponja” në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3, bazuar dhe në inteligjencën informative për një person, pasagjer në një automjet, që qarkullonte i armatosur në zonën e Laprakës, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e tij dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Fast”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë K. K., 30 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Në Laprakë, shërbimet e policisë kanë ndaluar një automjet tip “Audi” me drejtues shtetasin Xh. S., dhe pasagjer shtetasin K. K.
Gjatë kontrollit të çantës së shtetasit K. K., shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me 2 krehra dhe municion luftarak.



