
Edhe sot, përpara godinës së Kryeministrisë, ka mbetur e paprekur tavolina e gurit, e vendosur nga kryeministri Edi Rama si një simbol i ftesës së tij publike për dialog me studentët protestues.
Por, pavarësisht insistimit dhe thirrjeve të përsëritura të kreut të qeverisë për t’u ulur në tryezën e bisedimeve, të rinjtë qëndrojnë të palëkundur në vendimin e tyre dhe vijojnë ta refuzojnë kategorikisht këtë ofertë.
Studentët këmbëngulin se nuk do të pranojnë dialog me Ramën dhe se kërkesa e tyre kryesore është dorëheqja e tij nga posti i kryeministrit. Për ta, bisedimet nuk mund të zhvillohen pasi koha për dialog ka kaluar pas muajsh protesta.



