Me rritjen e kurbës së infektimit, rreziku që skenari më i keq mund të bëhet realitet, e ka shtyrë qeverinë italiane të marrë disa masa. Qeveria Conte miratoi zgjatjen e gjendjes së emergjencës deri më 31 janar 2021. Ndërkohë, nga sot nis detyrimi për të mbajtur gjithnjë maskën me vete dhe për ta mbajtur kudo, brenda dhe jashtë, përveç rasteve kur një individ është vetëm ose i shoqëruar nga njerëzit me të cilët bashkëjeton.
Megjithatë, nuk ndryshojnë rregullat për shkollën. Ndërsa në vendet e punës, protokollet në fuqi konfirmohen.
Pas pothuajse gjashtë muajsh, rastet e reja kanë kaluar pragun e mbi 3 mijë në 24 orë. Në 24 orët e fundit janë konfirmuar 3 678 raste pozitive, një numër që nuk është regjistruar që nga 16 prilli, kohë kur Italia ishte në karantinë të plotë. Numri i të infektuarve në total ka arritur në 333 940. Edhe numri i tamponëve është rekord, 125 314 në ditë, por rastet e reja mbi 1 mijë paralajmërojnë se vendi mund të kthehet në makthin e pranverës.
Seriozitetin e situatës e theksoi edhe kryeministri Giuseppe Conte gjatë një fjalimi live: "Ka rritje të infeksioneve. Tani e tutje ju duhet të keni maska me vete dhe t'i mbani ato në çdo rast nëse nuk jeni në një situatë të izolimit të vazhdueshëm. Ne duhet të jemi më rigorozë - thekson ai - sepse duam të shmangim në të gjitha mënyrat masat më kufizuese për aktivitetet prodhuese dhe sociale”. Nuk është vetëm rritja e infeksioneve që shqetëson qeverinë, por edhe siguria se një valë e re pandemike do të fundosë ekonominë.
"Ne po punojmë ditë e natë për të shmangur një izolim të ri kombëtar", tha ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza, i cili ka nënshkruar urdhëresën për testimin e detyrueshëm të gjithë atyre që hyjnë në Itali nga Britania e Madhe, Belgjika, Holanda dhe Republika Çeke.



