Analisti Lorenc Vangjeli në emisionin 'Të Paekspozuarit', në MCN TV deklaroi se Shqipëria aktualisht është në një demokraci hibride dhe se sipas tij kemi një raport të deformuar me shtetin.
Ai tha se problemi është se deri tani mëndja njerëzore nuk ka shpikur një sistem të ri, ndërsa theksoi se 110 vjet pavarësi për në jetën e një kombi janë pak duke u nisur dhe nga problemet e pafundme.
Jemi në demokraci hibride me elementë të shumtë të së shkuarës e cila na shfaqet në shumë forma. Kemi raport të deformuar me shtetin dhe për shkakun se shteti ynë është shumë i lirë. Dy janë vendtakimet taksa dhe vota. Të mos paguaje taksat ishte një gjë e mençur dhe e zgjuar as sot kjo histori nuk ka ndryshuar. Po kështu dhe vota, i vetmi rezultat që shqiptari vë bast dhe fiton është që pala nuk pranon rezultatin dhe vota vidhet. Duke u prekur në këto dy shtylla që lidhin individin me shtetin tregon se është i deformuar.
Vangjeli shti se ata që na qeverisin dhe që do vijnë nesër e shohin pushtetin si qëllim të vetëm për ta fituar atë me çdo kusht dhe ky lloj gjakimi i pushtetit është i tillë.
Është dhe çështje kohe, tradite të cilat nëse i shohim me gjakftohtësi na ngushëllojnë. Problemi është se deri tani mëndja njerëzore nuk ka shpikur një sistem të ri. 110 vjet ne na duken shumë, 30 vitet e kësaj që ne i quajmë tranzicion, por në jetën e një kombi janë pak duke u nisur dhe me vonesat, problemet e pafundme. Këto në jetën e një kombi janë një hapje dhe një mbyllje sysh. Kjo nuk na ngushëllon por ne duhet të jemi konkret në atë që kërkojmë. 30 vite më parë ishim të varfër te buka e gojës, sot jemi pafundësisht më mirë se ç’kemi qenë por jemi shumë më keq se çdo të duhet të ishim.



