
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi pas mbledhjes së Qeverisës se është miratuar subvencionimi me 50 lekë për litër naftë për të gjitha shoqëritë e transportit publik, si masë mbështetëse përballë rritjes së çmimeve të karburanteve.
Gjatë komunikimit me gazetarët, Karakaçi bëri të ditur se kjo paketë mbështetëse do të shërbejë si kompensim për operatorët e transportit qytetas, ndërqytetas dhe rrethqytetas.
“Në mbledhjen e Qeverisë miratuam disa akte të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Një prej tyre lidhet me masat subvencionuese që qeveria ka ndërmarrë në kuadër të krizës së hidrokarbureve për transportin publik,” deklaroi ministri.
Ai kujtoi se rreth një muaj më parë ishte zhvilluar një takim mes përfaqësuesve të shoqatave të transportit, bashkive dhe Ministrisë së Ekonomisë, ku ishin diskutuar problematikat me të cilat po përballet sektori.
“Në atë takim dhamë angazhimin se do të kishte një masë subvencionuese dhe tashmë ajo është miratuar. Bëhet fjalë për një kompensim prej 50 lekësh për litër për të gjitha shoqëritë e transportit publik,” tha Karakaçi.
Sipas tij, subvencionimi do të ketë efekt financiar që nga muaji mars, periudhë kur nisën edhe efektet e krizës së çmimeve të karburanteve në treg.
“Një tjetër lajm i mirë është se kjo masë do të zbatohet me efekt prapaveprues që nga muaji mars. Në këtë mënyrë kemi përmbushur angazhimin e marrë me grupet e interesit,” u shpreh ministri.



