Pedagogu Shefqet Muçi tha në emisionin “Arnautistan” se gjatë kohës së komunizmit kishte presion politik ndaj gjykatësve, ndërsa sot ka presion të shumënashëm, politik, ekonomik dhe nga mafia. “Sa i takon veprave ordinere gjykatat kanë qenë të drejta, ndërsa për krimet kundër shtetit ndryshonte muhabeti. Kemi dhënë edhe pafajësi për krime kundër shtetit. Por kur ai thotë e kam bërë çfarë do t’i bësh. Se shumica vinin me pohim. Po të cenohej interesi i atij që ishte në krye, hante edhe shokun e vet. Për të tjerat varej nga rezistenca, karakteri që kishe. Presion ka sot, kishte atëherë. Sot ka presion nga të dyja anët edhe nga politika, edhe nga paraja, edhe nga mafia, atëherë ishte vetëm presioni politikë. Nuk jepte njeri urdhra dhe të ndërhynte. Por ngrihej organizata e partisë, fronti, etj. Krijohej një opinion mbytës që ti s’mund të rrije pa e marrë në konsideratë”, tha ai. Muçi tha se edhe pse ishte kryetar i gjykatës së Tiranës u tha fëmijëve të dilnin në demonstrata për përmbysjen e regjimit. Ai tha se nuk ishte dakord me politikën që mbahej ndaj fshatarësisë, klasës punëtore dhe luftën artificiale të klasave. "Nuk jam kundër reformës në drejtësi, por kundër mënyrës si u bë reforma, pasi e kam parashikuar që do mbeteshim pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë", shtoi ai.



