Deputeti i PDK Enver Hoxhaj foli në edicionin e lajmeve në MCN TV mbi kërkesën drejtuar qeverisë së Kosovës për të miratuar sanksione ndaj Rusisë. Hoxhaj u shpreh se Ukraina është fronti i parë, ndërsa Ballkani fronti i dytë, duke shtuar se mund të preken edhe Shqipëria dhe Kosova.
Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë sa më shumë solidarë dhe ta mbështesin kauzën e drejtë të Ukrainës sepse ka të bëjë me fatin e Evropës, fatin e Ballkanit por edhe rendin kombëtar. Mbështetja mund të jetë politike, diplomatike. Në rastin e Shqipërisë duhet të kemi parasysh anëtarësimin në BE, dhe të qenit anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit. Shqipëria ka më shumë mekanizma për të ndihmuar. Sot kam kërkuar në Kuvend të Kosovës që të vëzhgojë situatën në Ukrainën. Ukraina është fronti i parë, fronti i dytë është Ballkani”, tha Hoxhaj.
Ndërsa komentoi deklaratën e Lavrov mbi pretendimet për dërgimin e mercenarëve nga Shqipëria dhe Kosova, Hoxhaj tha se në të ardhmen mund të dëmtohen interesat e dy vendeve tona.
Kjo çfarë thotë Lavrov tregon anën komplekse të asaj çka po ndodh në Ukrainë dhe si në të ardhmen mund të dëmtohen interesat e Kosovës dhe Shqipërisë. Këtu ka një traditë të keqe për Kosovën që edhe kur ka ndodhur ndërhyrja në Gjeorgji, Putini i është referuar Kosovës dhe gjatë aneksimit të Krimesë i është referuar Kosovës. Mund të krijojë situata ndërkombëtarisht të dëmshme për Kosovën. Kam kërkuar nga Kurti që të mbledhë Këshillin e Sigurisë dhe të ketë një platformë për t’u përballur me propagandën ruse. Në një dramë që ndodhë në Ukrainë, shqiptarët duhet ta kenë një kornizë strategjike që duhet ta miratojnë institucionet tona. Duhet më shumë buxhet dhe duhet të mbrojmë interesin tonë”, vijoi ai.
I pyetur se sa e nevojshme është të ketë një takim mes qeverisë Rama e Kurti mbi këtë çështje deputeti i PDK u shpreh:
Partneriteti strategjik që kemi nënshkruar në janar të 2014-ës pikërisht ka paraparë që në temën e sigurisë, Shqipëria dhe Kosova të jenë në një pikë të përbashkët dhe kjo është urgjente të ndodhë. A kanë komunikim kryeministrat tanë këtë nuk di ta them. Rajoni ka nevojë për koordinim të plotë me partnerët amerikanë dhe evropianë. Frika ime është që nëse situata përshkallëzohet në Ukrainë, Ballkani mund të jetë oborri i pasmë se si Rusia mund ta godasë Perëndimin dhe ne do ishim vija e parë”.



