
SHBA do të vendosë tarifa për importin e çelikut dhe aluminit ndaj aleatëve të saj më të mëdhenj siç është Bashkimi Evropian, Meksika dhe Kanadaja, duke i dhënë fund një përjashtimi dymujor dhe duke nisur një luftë tregtare edhe me aleatët e saj.
Tarifat prej 25% për çelikun dhe tarifat 10% të aluminit do të fillojnë brenda ditës tjetër.
Masa, e zbuluar nga Sekretari amerikan i Tregtisë, Wilbur Ross, do të ndikojë në disa nga aleatët kryesorë të Shteteve të Bashkuara dhe aleatët e NATO-s në Evropë.
Ross u tha gazetarëve në një konferencë telefonike se një tarifë 25 për qind mbi importet e çelikut dhe një tarifë 10 për qind mbi importet e aluminit ndaj BE, Kanadasë dhe Meksikës do të hyjë në fuqi në mesnatë, raporton Reuters.
"Ne shpresojmë tek bisedimet e vazhdueshme, si me Kanadanë dhe Meksikë në njërën anë, ashtu edhe me Komisionin Evropian nga ana tjetër, sepse ka çështje të tjera që ne gjithashtu duhet t'i zgjidhim", tha ai.
Ross ofroi pak detaje për atë që BE, Kanadaja dhe Meksika mund të bënin për të hequr tarifat.
Nga ana tjetër, ministri francez i Financave, Bruno Le Maire, kishte thënë se tarifat do të ishin "të pajustifikuara dhe të rrezikshme".
BE do të merrte "të gjitha masat e nevojshme" për t'u përgjigjur nëse SHBA-të vendosnin tarifa, paralajmëroi Le Maire, raporton BBC.
"Është plotësisht në dorën e autoriteteve amerikane nëse duan të hyjnë në një konflikt tregtar me partnerin e tyre më të madh, Evropën", tha ai përpara se të bëhej njoftimi.



