Amnistia fiskale/ Si do të falen pasuritë e fshehura brenda dhe jashtë vendit

Amnistia fiskale/ Si do të falen pasuritë e fshehura brenda dhe jashtë vendit

Projektligji për amnistinë fiskale dhe penale është në fazën e konsultimit publik. Drafti i hartuar nga Ministria e Financave ka për qëllim formalizimin e parave dhe të pasurive të tjera të shqiptarëve, pa detyrime fiskale dhe pa përgjegjësi penale, brenda një afati njëvjeçar zbatimi.

Subjekte të këtij ligji janë shtetasit shqiptarë, pavarësisht nëse janë rezidentë tatimorë ose jo në Republikën e Shqipërisë, personat fizikë dhe juridikë, tatimpagues rezidentë në Republikën e Shqipërisë, si dhe individët rezidentë tatimorë në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht shtetësisë së tyre.

Subjekte të përjashtuara janë zyrtarët e lartë të shtetit, krerët e institucioneve që zgjidhen nga Parlamenti, drejtuesit e pushtetit vendor, drejtuesit e policisë, të sistemit të drejtësisë, prokurorët, gjyqtarët etj. Po ashtu, përjashtohen nga zbatimi i këtij ligji edhe ata që më parë i kanë ushtruar të njëjtat funksione.

Ligji i ri parashikon ngritjen e një strukture të posaçme për zbatimin e tij. Struktura e re emërtohet Njësia Speciale për Mbikëqyrjen e Deklarimit Vullnetar të Pasurive (njësia speciale) dhe është në varësi të drejtpërdrejtë të drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve.  

Pranë kësaj njësie, ata që janë subjekt i ligjit deklarojnë vullnetarisht pasuritë dhe elementë të pasqyrave financiare, pavarësisht nëse pasuritë, në tërësinë apo pjesë të tyre, janë të padeklaruara apo të paregjistruara në autoritetet kompetente, apo ndodhen ose jo në territorin e Republikës së Shqipërisë. Deklarimi bëhet përmes plotësimit të një formulari të hartuar me udhëzim të ministrit të Financave.

Si bëhet deklarimi i pasurive

Ligji i ri parashikon që subjekti të plotësojë formularin e deklarimit vullnetar për depozitim të shumës në të holla në një numër llogarie bankare të hapur për këtë qëllim dhe pas verifikimit, ai pajiset me një kopje të aplikimit. Faza e tretë është depozitimi i shumave në të holla në llogarinë përkatëse bankare.

Ndërsa në rastin e pasurive të tjera, parashikohet sërish deklarimi i tyre vullnetar, por në përfundim të këtij procesi, subjekti përfitues ka prioritet në kryerjen e regjistrimit të pasurisë, pas plotësimit të kushteve të parashikuara nga ligji përkatës. Megjithatë, vërtetimi i përfundimit të procesit të deklarimit vullnetar nuk përbën regjistrim të këtyre pasurive.

Tatimi i posaçëm

1. Në rastet e deklarimit vullnetar të shumave në të holla dhe të depozitimit të tyre në llogaritë bankare, banka mban një tatim të posaçëm prej:

a) 5 për qind të shumës totale të deklaruar për deklarime dhe pagesa të kryera në katër muajt e parë nga hyrja në fuqi e ligjit;

b) 7 për qind të shumës totale të deklaruar për deklarime dhe pagesa të kryera në katër muajt e dytë nga hyrja në fuqi e ligjit;

c) 10 për qind të shumës totale të deklaruar për deklarime dhe pagesa të kryera në katër muajt e tretë nga hyrja në fuqi e ligjit.

2. Në rastet e deklarimit vullnetar të pasurive të tjera të deklaruara vullnetarisht pranë njësisë speciale, tatimi i posaçëm paguhet si vijon:

a) 5 për qind të vlerës së deklaruar për deklarime dhe pagesa të kryera në katër muajt e parë nga hyrja në fuqi e ligjit;

b) 7 për qind të vlerës së deklaruar për deklarime dhe pagesa të kryera në katër muajt e dytë nga hyrja në fuqi e ligjit;

c) 10 për qind të vlerës së deklaruar për deklarime dhe pagesa të kryera në katër muajt e tretë nga hyrja në fuqi e ligjit.

3. Bankat e nivelit të dytë apo institucionet financiare transferojnë të ardhurat nga pagesat e tatimit të posaçëm në kuadër të këtij ligji, në llogarinë e posaçme të thesarit të ministrisë përgjegjëse për financat.

4. Detyrimet tatimore të subjekteve përfitues, në lidhje me vlerën dhe llojin e pasurisë së deklaruar, konsiderohen të paguara rregullisht dhe autoritetet kompetente tatimore nuk mund të kërkojnë pagesën e detyrimeve të tjera shtesë ndaj atyre të paguara.

Riatdhesimi i pasurive

Sipas nenit 13 të këtij ligji, me pagimin e tatimit të posaçëm i hapet rruga riatdhesimit të pasurive të krijuara jashtë territorit shqiptar, përfshirë këtu edhe shumat në të holla. Pasuritë e riatdhesuara në këtë mënyrë mund të përdoren dhe administrohen lirisht në bazë të ligjeve ekzistuese. Në këtë rast, personat që janë subjekt i ligjit e paraqesin formularin e deklarimit pranë autoriteteve përgjegjëse doganore kufitare për kryerjen e procedurave doganore. Rregullat dhe mënyra e riatdhesimit të pasurive përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.

Përfundimi i deklarimit

Në mënyrë që procedura të konsiderohet e përfunduar, duhen plotësuar njëkohësisht dy kushte: depozitimi në llogarinë përkatëse bankare në rast se pasuria konsiston në shuma në të holla dhe pagimi i vlerës së tatimit të posaçëm. Ligji i ri parashikon që 20 ditë pas dorëzimit të dokumentacionit, subjekti pajiset me vërtetimin përkatës dhe konsiderohet subjekt përfitues. Pasuria për të cilën është lëshuar vërtetimi në përfundim të procesit të deklarimit vullnetar konsiderohet pasuri e deklaruar në kuptim të këtij ligji.

Të drejtat e subjekteve përfitues pas përfundimit të procesit

Sipas ligjit, pasi kryhet pagesa e detyrimeve, të ardhurat e subjektit konsiderohen të ardhura për të cilat detyrimet tatimore janë paguar në përputhje me legjislacionin shqiptar. Këta individë nuk janë më të detyruar të japin informacion pranë institucioneve përkatëse administrative në lidhje me kohën, mënyrën e krijimit, mbajtjen apo posedimin e pasurive të deklaruara në përputhje me parashikimet e këtij ligji. Ata gëzojnë të drejtën e ruajtjes së sekretit sa i përket ligjësimit të pasurive të deklaruara dhe deklarimit të elementëve të pasqyrave financiare. Po ashtu, ata që janë subjekt i këtij ligji gëzojnë garanci që kanë deklaruar shuma në të holla, për mosdiskriminimin në të ardhmen, në procedurat e përllogaritjes së detyrimeve tatimore, përjashtim nga ndjekja e procedurave hetimore dhe administrative në kuadër të ndëshkimit administrativ. Ata përjashtohen nga ndjekja penale dhe procedimi penal për vepra penale në lidhje me pasuritë e deklaruara sipas kushteve dhe parashikimeve të këtij ligji si dhe nga masat e sekuestros apo konfiskimit ndaj pasurive të deklaruara vullnetarisht, për shkaqe që burojnë nga zbatimi i këtij ligji. Po ashtu, tatimet e paguara për efekt të deklarimit të pasurive nuk konsiderohen shpenzim i zbritshëm për efekte fiskale.

Falja e gjobave

Atyre që përfitojnë nga zbatimi i këtij ligji  u falen të gjitha gjobat, kamatë-vonesat dhe penalitetet e parashikuara në legjislacionin në fuqi për regjistrimin e pasurisë që konsiderohet e deklaruar në kuptim të këtij ligji nëse brenda afatit të zbatimit të këtij ligji kryejnë regjistrimin e pasurisë në përputhje me parashikimet e legjislacionit në fuqi.

 

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy