Në Vietnam, jepet alarmi për shkak të mbërritjes në orët në vijim, të stuhisë tropikale Talim, e para e këtij viti, e cila do të godasë qytetet bregdetare të Vietnamit verior dhe që premton të jetë një nga më të dhunshmet e fundit, me erëra gati 90 km/h. Provincat bregdetare nga Quang Ninh në Ninh Binh kanë planifikuar të evakuojnë rreth 30.000 persona, sipas Vietnam Express. Nga ora 12.00 e mesditës, të gjitha lundrimet në det nga provincat Quang Ninh, Thai Binh dhe Nam Dinh janë të ndaluara, ndërsa në Hai Phong, një nga qendrat kryesore logjistike të Vietnamit, ndalimi fillon nga ora 19.00. Aktualisht ka mbi 50.000 anije në zonë dhe pothuajse 250.000 njerëz, përfshirë rreth 18.000 turistë që vizitojnë gjirin spektakolar Ha Long, ku të gjitha lundrimet janë anuluar. Të mërkurën, fluturimet do të pezullohen nga ora 09.00-19.00 në aeroportet e Noi Bai, pranë kryeqytetit Hanoi, Cat Bi, në qytetin port të Hai Phong dhe Van Dong, në provincën e Quang Ninh.



